image E rëndë: 62-vjeçari nga Gurrakoci në rrezik për jetën, iu dogjën duart, këmbët e shpina

Shëndetësi

E rëndë: 62-vjeçari nga Gurrakoci në rrezik për jetën, iu dogjën duart, këmbët e shpina

news image

Sot një person nga Gurrakoci i Istogut, derisa ishte duke punuar në pronën e tij, ka pësuar djegie të rëndë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, tha se viktima është djegur derisa ishte duke e kositur barin, ndërsa nga Spitali i Pejës i thanë Sinjalit se i njëjti është dërguar në QKUK.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me mjekun kujdestar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, Shkëlzen Duçi, i cili ka dhënë detaje rreth gjendjes shëndetësore të viktimës.

Duçi bëri me dije se viktima është e moshës 62-vjeçare, të cilit i është djegur rreth 60 për qind e sipërfaqes trupore, duke përfshirë katër ekstremitetet dhe komplet shpinën.

Ai i tha Sinjalit se posa ka arritur në QKUK, pacienti është futur urgjent në sallën e madhe të Qendrës Emergjente dhe janë kryer të gjitha intervenimet e nevojshme e më vonë është transferuar në Mjekim Intensiv Qendror.

Duçi u përgjigj edhe në pyetjen se a ekziston rreziku për jetë dhe për humbjen e ndonjë pjese të trupit. Ai tha se ende ekziston ky rrezik, por që janë kryer të gjitha intervenimet e nevojshme që një gjë e tillë të mos ndodhë.

“Pacienti është i moshës 62-vjeçare që është referuar nga Spitali Rajonal i Pejës. Ai është djegur me flakë nga lëndë djegëse, në këtë rast nga benzina. Me sipërfaqe trupore, ai është djegur rreth 60 për qind, djegia është në shkallën e tretë. Ky pacient kategorizohet me djegie të rëndë dhe rrezikshmëri të lartë për jetë. Pacienti posa ka arritur, është futur urgjent në sallën e madhe të Qendrës Emergjente dhe janë kryer që të gjitha intervenimet e nevojshme dhe më vonë është transferuar në Mjekim Intensiv Qendror. Nga zjarri janë përfshirë dy ekstremitetet e poshtme, dy ekstremitetet e sipërme dhe shpinën komplet. Ne i kemi kry të gjitha intervenimet e nevojshme që pacienti mos ta humbasë asnjë pjesë të trupit, mirëpo edhe ky rrezik ekziston”, tha dr. Shkëlzen Duçi për Sinjalin.

Gashi nga Policia në Pejë i tha Sinjalit, se menjëherë pas marrjes së informacioneve, në vend të ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të Policisë dhe eksperti i zjarrit, sepse dyshohet se ka shpërthyer zjarri nga kositja.

/GazetaSinjali/