image E paralajmëroi se do ta mbyste, detaje nga aktakuza ndaj burrit që dyshohet se vrau gruan me shufër metalike në Kamenicë

Drejtësi

E paralajmëroi se do ta mbyste, detaje nga aktakuza ndaj burrit që dyshohet se vrau gruan me shufër metalike në Kamenicë

news image

Nuhi Mavrovqani, 42 vjeçar po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan për vrasjen e gruas së tij 34 vjeçare, Sabile Mavrovqani më 25 korrik të këtij viti rreth orës 12:00, duke e goditur shumë herë me shufër metalike në shtëpinë e tyre në fshatin Berivojcë të Kamenicës, shkruan Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali ka siguruar aktakuzën e plotë, ku Nuhi Mavroqani, pasi kishte vrarë gruan, ka thënë se në momentin që e ka marrë gypin e hekurit e kishte paralajmëruar atë që të mos i afrohej se do ta mbyste.

Prandaj ai po akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë”, për të cilën prokurori i rastit, Arben Ismajli, e ka dërguar në Gjykatën Themelore të Gjilanit dhe ka propozuar  që të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit dhe të shpallet fajtor për këtë vepër.

Por si ndodhi e gjithë ngjarja?

Në aktakuzë thuhet se në ditën e 25 korrikut, në shtëpinë e Nuhiut dhe Sabile Mavrovqanit ka filluar një mosmarrëveshje familjare. Sipas prokurorit të rastit, Arben Ismajli, Nuhiu me dashje ka vrarë gruan e tij, Sabilen, me një shufër metalike të një gjatësie rreth 73 centimetra dhe e një trashësie 2.2 centimetra.

Sipas aktakuzës gjithçka ka filluar pas një fjalosje, e cila më pas përfundoi, pasi  42 vjeçari filloi ta godas gruan e tij të ndjerë fillimisht në parakrahun e dorës së majtë dhe njëherë në anën e majtë të kokës e cila më pas është rrëzuar në tokë.

Edhe pasi e ndjera kishtë rënë në tokë, sipas aktakuzës, thuhet se Nuhiu kishte vazhduar ta godiste me shufër metalike në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit duke i shkaktuar plagë të hapura në kokë, thyerje në anën e majtë të kafkës së kokës, ku e ndjera nuk arriti t’i mbijetojë atyre plagëve.

Në ngritjen e aktakuzës, prokurori Ismajli është bazuar në deklaratat e dëshmitarëve, deklaratën e familjarit të së ndjerës, Sabile Mavrovqanit si dhe raportet e zyrtarëve policorë, raportit të vendit të ngjarjes kur kishte ndodhur vrasja, raportin mjekësor të QKMF-së në Kamenicë si dhe raportin e autopsisë.

Deklarata e të akuzuarit, Nuhi Mavroqani

Në aktakuzën e siguruar nga Gazeta Sinjali, thuhet se në deklaratën e dhënë në Polici, i akuzuari Nuhiu ka thënë se në momentin kur e ka marrë gypin e hekurit dhe ka hyrë në shtëpi, e ka paralajmëruar të ndjerën që të mos afrohet sepse do ta mbysë dhe në ato momente derisa kishte qenë në këmbë, e  ka goditur në parakrahun e dorës së majtë dhe në kokë dhe pasi ka rënë e ndjera në tokë, ai përsëri ka vazhduar ta godas disa herë në pjesën e kokës.

I akuzuari ka deklaruar para prokurorit të rasit se me të ndjerën kishte pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme, ku edhe para 2-3 vitesh ishte iniciuar rast, pasi që Nuhiu kishte rrahur me bisht të shatit duke i shkaktuar asaj lëndime trupore.

 “Ditën kritike ishte zgjuar herët për të shkuar në punë dhe për shkak se vajzat e tij ishin ankuar se nëna Sabilja po i rrahte dhe për këtë arsye ai nuk kishte shkuar në punë dhe kishte dalë në oborr për të rrafshuar dheun dhe rreth orës 10:00 kishte hyrë brenda në shtëpi ku i kishte ndërruar fëmijët dhe ishte përgatitur ushqim për ngrënje dhe fëmijët i kishte vënë në gjumë.  Pas pak kohe kishte kërkuar nga e ndjera Sabilja nëse e ka përgatitur ushqimin dhe në ato momente kishte filluar mosmarrëveshja ndërmjet tyre ku e kishte goditur me grusht në kokë dhe kishte dalë jashtë në oborr e kishte marrë një gyp të hekurit dhe me të njëjtën e kishte goditur në kokë tani të ndjerën duke e rrëzuar në tokë dhe nuk i kujtohet se ku dhe sa herë e ka goditur tani të ndjerën të cilën e kishte gjakosur dhe nuk i kishte ofruar ndihmë e pastaj kishte marrë fëmijët e i kishte nxjerrë nga shtëpia dhe e kishte thirrur vëllain e tij për t’i marrë fëmijët“, ka thënë Nuhiu para prokurorit Ismjali.

Edhe vëllai i Nuhiut, ka dëshmuar në prokurori, ku ka thënë se në ditën kritike ka qenë duke punuar në mal, kur ka marrë një telefonatë nga Nuhiu, i cili i kishte thënë të shkojë në shtëpinë e tyre.

Ndërsa vëllai tjetër i 42 vjeçarit, R. Mavrovqani ka thënë se i vëllai ka qenë i martuar për pesë vite me Sabilen dhe nuk kanë pasur mosmarrëveshje deri në atë ditë, kur kishte marrë telefonatë nga vëllai për t’i marrë fëmijët, pasi që siç i kishte thënë Nuhiu “Sabilja ka vdekur”.

Kurse vëllai i të ndjerës ka deklaruar se nuk kishte njohuri se motra e tij ka pasur mosmarrëveshje me bashkëshortin e saj.

Gjithë kjo ngjarje ishte zhvilluar në dhomën e ndejës në shtëpinë e Nuhi e Sabile Mavrovqanit.

Në raportin e autopsisë kontatohet se vdekja e të ndjerës, Sabile Mavroqanit ka qenë e dhunshme dhe ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes në tru, e shoqëruar me thyerje të kockave të përshkruara edhe më lartë, për shkak të përdorimit të shufrës metalike.

Aktakuza ndaj të akuzuarit është ngritur dje nga Prokuroria Themelore e Gjilanit.

/GazetaSinjali/