Që një vit shtatorja e Anton Çettës, plakut që pajtoi qindra gjaqe në tërë Kosovën, rri në atelenë e skulptorit që e punoi atë, Agon Qosa. Komuna e Prishtinës nuk ia ka gjetur ende asnjë lokacion se ku të vendoset, raporton Gazeta Sinjali.
Duke folur për Gazetën Sinjali, skulptori Agon Qosa, thotë se përveç gazetarëve nuk është interesuar askush për shtatoren e Çettës.
“Shtatorja është ende në atele te unë, është e përfunduar në bronz prej 22 tetorit të vitit të kaluar. I ka bërë një vit e pak që është në atele… Pos gazetarët që kanë ardhë me pyet për shtatore, përndyshe askush s’ka ardhë, askush s’më ka dhënë ndonjë informatë”, tha Qosa për Gazetën Sinjali.
Për këtë çështje, Qosa e lë fajtor të parin e Prishtinës, Shpend Ahmetin.
“Me Agjensionin e Komplekseve Memoriale e kemi diskutuar disa herë bashkë, kanë dashur të kontaktojnë me kryetarin nuk ia ka çelë telefonin, i kanë shkru letër, kanë kërku edhe takim por nuk ia ka caktuar një takim të paktën me diskutu”, thotë më tej Qosa.
Ndonëse nuk ia kanë gjetur vendin për vendosjen e shtatores, sot politikanët e kanë përkujtuar në Facebook 24 vjetorin e vdekjes së Anton Çettës.
Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka shkruar për Çettën se “Kujtimi për unifikuesin shqiptar, pajtimtarin e mijëra gjaqeve dhe humanistin e madh nuk është zbehur as pas 24 vjetësh nga vdekja e tij”.
Për Anton Çettën ka shkruar edhe presidenti Hashim Thaçi, “Para 24 viteve vdiq albanologu, humanisti i shquar dhe njeriu i urtë Anton Çetta, që hyri në historinë e re të Kosovës si pajtues i gjaqeve dhe mbledhës i thesarit të çmuar të trashëgimisë sonë folklorike”.
Qosa thotë se këto shkrime politikanët i bëjnë sa për politikë “mu dokë që po bëjnë diçka”.
Gjatë bisedës, Qosa tha se nuk i pengon që në atele të qëndrojë edhe më tutje shtatorja e Çettës.
“Është qëllimi te vendi, te kryetari i Komunës së Prishtinës që nuk ia ka gjetur një vend, ka vende sa të duash. Mua nuk më pengon me mbetë shtatorja në atele, është vepër e imja”, përfundoi Qosa.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me Komunën e Prishtinës, për të kuptuar nëse është bërë diçka për gjetjen e lokacionit për vendosjen e shtatores së Çettës, por kanë thënë se për këtë çështje do të përgjigjen nesër.
Ndryshe, muaj më parë ishte kundërshtuar ideja që kjo shtatore të vendoset para Institutit Albanologjik./Gazeta Sinjali/