image E mitura nga Gjakova shkon në spital ta konfirmojë shtatzëninë, Policia ia arreston partnerin

Siguri

E mitura nga Gjakova shkon në spital ta konfirmojë shtatzëninë, Policia ia arreston partnerin

news image

Shtatzënia tek vajzat e mitura është një dukuri shqetësuese në Kosovë dhe raste të tilla jo gjithmonë raportohen dhe bëhen publike. E siç ndodh zakonisht, Policia e Kosovës njoftohet për shtatzëni tek të miturat vetëm pasi ato shkojnë të kontrollohen në institucione shëndetësore.

Njëjtë ndodhi edhe të hënën e 7 marsit, kur një 16-vjeçare iu drejtua Spitalit Rajonal të Gjakovës ‘Isa Grezda’, pasi që dyshonte se nga bashkëjetesa me partnerin e saj kishte ngelur shtatzënë.

Mjekja e Repartit Gjinekologjik të spitalit, ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se vajza e mitur është shtatzënë dhe se në spital kishte shkuar vetëm për të konfirmuar shtatzëninë.

Ajo tha se pacientja është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk është duke u trajtuar në spital.

Ani pse gjinekologia thotë se çifti ishin bashkë me pëlqimin e dy familjeve, pas konstatimit se e mitura është në periudhë fillestare të shtatzënisë, kanë njoftuar Policinë e Kosovës lidhur me rastin.

E gëzimi se do të bëhen prindër në moshë të re, iu pre në gjysmë 16-vjeçares dhe partnerit të saj.

Kjo pasi që Policia e Kosovës ka arrestuar partnerin e saj si të dyshuar për bashkëjetesë me personin e mitur.

Rastin e ka konfirmuar Policia përmes raportit 24 orësh të mërkurën.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se kishte bashkëjetuar me viktimën femër kosovare nën moshën 16 vjeç. Viktima kishte kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Gjakovë dhe sipas mjekëve ajo ishte shtatzënë”, thuhet në njoftim.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

/GazetaSinjali/