Festivali ‘Sunny Hill’ tashmë do të ketë një adresë të përhershme në Prishtinë, shkruan Gazeta Sinjali.
Deri më sot ky festival është zhvilluar në lokacionin e Parkut të Gërmisë, me një kapacitet maksimal prej 20 mijë pjesëmarrësish.
Mirëpo, tashmë ky festival do të zhvillohet në zonën afër panaireve në Shkabaj, ku pritet të investohen gjysmë milion euro, të mbillen drunj dhe të bëhet një liqen artificial.
Këtë e ka bërë të ditur organizatori i festivalit, Dukagjin Lipa, i cili ka pohuar se pas një pritje të gjatë, tashmë festivali do të ketë adresën e përhershme.
“Ky ishte fillimi i udhëtimit tonë në vitin 2016. Pas një pritje të gjatë Sunny Hill Festival merr adresën e tij të përhershme. Faleminderit Komuna e Prishtinës, Shpend Ahmeti, Xil Ismaili për mbështetjen tuaj të palodhur dhe gjithë Kuvendin e Prishtinës që votuan unanimisht në favor të festivalit tonë. Udhëtimi ynë fillon përsëri”, ka shkruar ai në Instagram.
E këtij lajmi i është gëzuar edhe këngëtarja e cila tashmë ka arritur një famë botërore, Dua Lipa, e cila ka thënë se ndihet krenare me atë që është arritur deri më tani.
“Festivali ynë Sunny Hill Festival tashmë ka një adresë të përhershme në Prishtinë, Kosovë. Jemi kaq krenarë me arritjen e këtij rrugëtimi deri tani dhe mezi presim që të rritemi më shumë dhe të bëhemi edhe me një lokacion të ri! Ju faleminderit për të gjithë dashurinë dhe përkrahjen. Do të shihemi së shpejti”, shkroi Dua në fotografinë të cilën e postoi në Instastory.
Kujtojmë se festivali ‘Sunny Hill’ debutimin e parë në Kosovë e ka pasur në vitin 2016. Gjithashtu ky festival u zhvillua edhe në Gusht të vitit 2018 dhe 2019. Kurse vitin e kaluar për shkak të pandemisë COVID-19 mbajtja e këtij festivali ishte anuluar./Gazeta Sinjali/