image E infektuara me koronavirus në Pejë shkoi në tri qendra mjekësore, u lirua në shtëpi me simptoma të gripit

Kosovë

E infektuara me koronavirus në Pejë shkoi në tri qendra mjekësore, u lirua në shtëpi me simptoma të gripit

news image

Gjatë ditës së sotme është shënuar edhe rasti i parë me koronavirus në Komunën e Pejës. Në këtë komunë rezultoi pozitive një paciente nga fshati Llugaxhi, i cili gjendet 25 kilometra nga Peja.

Në një prononcim për Gazetën Sinjali, udhëheqësi i Planit Emergjent i kësaj komune, Petrit Loci, tha se pacientja ishte trajtuar për disa ditë me radhë në institucionet shëndetësore të Pejës. Ai ka treguar që pacientja pas ekzaminimeve ishte liruar për në shtëpi me simptoma të gripit.

“Pacientja në fjalë është trajtuar për disa ditë me radhë në insitutcionet shëndetësore të Pejës. Duke filluar nga data 19 mars që është paraqitë në QKMF  në fshatin më të afërt me Llugaxhi.  Më pastaj me datën 20 mars është vizituar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Pejë, ku i është nënshtruar ekzaminimeve klinike dhe laboratorike dhe është referuar për në Spitalin Regjional të Pejës, pra me datën 20 mars. Pas ekzaminimeve në Spitalin Regjional, pacientja është liruar për në shtëpi me simptoma të gripit, pa simptoma të COVID 19”, ka thënë fillimisht Loci për Gazetën Sinjali.

Më tej, ai ka bërë të ditur se gjendja e pacientes është përkeqësuar gjatë ditës së djeshme, pasi që gjatë kësaj periudhe ajo kishte kryer vizita në Komunën e Klinës.

“Pacientes ju ka përkeqësuar gjendja ditën e djeshme, ku për shkak të afërsisë që ka fshati Llugagji me komunën e Klinës, ajo ka ndjekë vizita gjatë kësaj periudhe në këtë komunë dhe dje është vizituar edhe në një ordinancë private në komunën e Klinës dhe nga ajo ordinancë është referuar në Spitalin Regjional të Pejës për ekzaminime të tjera.”

Loci më tej ka treguar që pas ekzaminimeve që i janë bërë pacientës në Spitalin Regjional të Pejës, është dërguar për në Prishtinë, ku edhe ka rezultuar pozitive.

Në Kosovë aktualisht numri i rasteve me koronavirus ka shkuar në 79, teksa është shënuar një viktimë dhe një person është shëruar tërësisht./Gazeta Sinjali/