image Haliti për arrestimet e fundit në Pejë: Uroj të mos kenë prapavijë politike

Politikë

Haliti për arrestimet e fundit në Pejë: Uroj të mos kenë prapavijë politike

news image

Kryetari i degës së Partisë Demokratike në Pejë, Xhavit Haliti, ka reaguar për arrestimet e fundit të zyrtarëve komunale në Pejë.

Ai ka uruar që këto arrestime të mos kenë prapavijë politike dhe të jenë instrumentalizuar para zgjedhjeve lokale, raporton Gazeta Sinjali.

“Zakonisht, nuk përzihem në çështje të drejtësisë. Por, uroj që arrestimet e fundit të mos kenë prapavijë politike të instrumentalizuar para zgjedhjeve lokale. Përndryshe, jam ithtar e mbështetës i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Motoja ‘askush përmbi ligjin’, dhe kontrolli ligjor publik e politik ndaj të gjitha institucioneve për të ndërtuar shtetin e së drejtës duhet të jetë obligim i përgjithshëm”, shkroi ndër të tjera ai në Facebook.

Deputeti i PDK-së ka thënë se duhet të shkarkohen të gjithë ata që përpiqen të “barrikadohen me arsyetimin se përgjegjësia e tyre është brenda klanit, e në kundërshtim me praktikën ligjore evropiane”.

Nëse ligjet nuk parashikojnë mënyrën dhe vendin e llogaridhënies për të gjithë, ai ka propozuar amandamentimin e tyre.

Shtatë zyrtarë në Komunën e Pejës janë ndaluar të mërkurën, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndalimi i tyre u bë pas hetimeve të Prokurorisë Themelore në Pejë për ndërtimet e kundërligjshme./Gazeta Sinjali/