Policia në Shqipëri e ka arrestuar basketbollistin Bruno Daliun, i cili e rrahu gjyqtarin gjatë ndeshjes Teuta-Tirana një ditë më parë.
Basketbollisti i Tiranës nuk është pajtuar me vendimin e gjyqtarit Jurgen Muho, duke e goditur atë me grushte derisa sa e shtriu në tokë.
Pas këtij veprimi antisportiv, ka pasur vërshëllima të shumta nga tifozët e pranishëm në pallatin e sporteve në qytetin e Durrësit “Ramazan Njala”, të cilët në kor kanë sharë skuadrën kryeqytetase me fjalë banale.
Pamjet tregojnë një dhunë të paprecedentë, e cila prej shumë kohësh nuk shihej në këtë sport.
Ndeshja në fund u mbyll në favor të Teutës me rezultatin 98-86, por rezultati u bë i pa vlerë përballë këtij skandali që ndodhi në basketbolli shqiptar.