Dita e sotme ka nisur me plot aksidente që kanë ndodhur sot në rrugët e Shqipërisë, ku kanë mbetur të lënduar 18 persona.
Në Rrugën e Kombit një automjet me targa të Serbisë është përplasur me trafikndarësen dhe ka dalë nga rruga në fshatin Gziq, ku 5 anëtarët e familjes që po udhëtonin drejt bregdetit për pushime janë lënduar, teksa gruaja ndodhet në gjendje të rëndë.
Ndërsa, në orën 07:30 në vendin e quajtur “Safari park” në Fier u përplasën dy automjete të tjera. Nga ky aksident mbetën 10 persona të lënduar.
Sipas policisë atje, dy pasagjerë 25 dhe 56 vjeç ndodhen në spital në gjendje të rendë, ndërsa 2 drejtuesit e mjeteve dhe 6 pasagjerë të tjerë u transportuan në spital për të marrë trajtim mjekësor dhe për të kryer ekzaminimet e nevojshme.
Aksidenti i radhës ndodhi në Korçë, ku një makinë me drejtues një 74-vjeçar ka përplasur një motor, duke lënë të lënduar drejtuesin e saj.
Ndërkohë në Shkopet në aksin rrugor Burrel–Skuraj, në vendin e quajtur “Vabli” dy persona janë lënduar pasi makina me të cilën udhëtonin doli nga rruga dhe përfundoi disa metra poshtë saj. Nga aksidentet, 3 prej të lënduarve ndodhen në gjendje të rëndë, por deri më tani nuk është shënuar asnjë viktimë.