Sot, rreth orës 06:50, në fshatin Talinovc të Muhaxherëve në Ferizaj, ka ndodhur një aksident me fatalitet, ku humbi jetën një 17-vjeçar, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas Policisë, vdekjen e pasagjerit L.A. ( M/K), i moshës 17 vjeçare e ka konfirmuar në vendin e ngjarjes, mjeku nga Qendra Emergjente e Spitalit Rajonal të Ferizajt.
Ndërsa lëndime trupore ka pësuar edhe drejtuesi i automjetit N.A ( M/K) i moshës 21 vjeçare, i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, është dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.
Policia ka dhënë detaje se si ka ardhur deri te aksidenti, raporton Sinjali.
“Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur, kur automjeti i udhëtarëve ishte duke lëvizur në rrugën lokale, nga fshati Pojatë në drejtim të Ferizajt dhe për shkak të mospërshtatjes së shpejtesisë së lëvizjes së automjetit, drejtuesi humb kontrollin mbi automjet, kalon në anën e djathtë të rrugës, drejtimi i lëvizjes dhe godet një shtyllë elektrike të betonit, ku dhe përfundon jashtë rrugës”, njofton Policia.
Me vendim të Prokurorit, trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjeksisë Ligjore në Prishtinë.