image E dhimbshme: Nxirret nga rrënojat trupi i pajetë i një 6-vjeçareje në Mariupol

Botë

E dhimbshme: Nxirret nga rrënojat trupi i pajetë i një 6-vjeçareje në Mariupol

news image

Trupi i pajetë i një vajze 6-vjeçare është nxjerrë nga rrënojat e një ndërtese banimi të shkatërruar në Mariupol.

Këtë e ka konfirmuar kryetari i bashkisë së qytetit të rrethuar nga rusët, Vadym Boychenko, i cili ka thënë se vajza e vogël e quajtur Tayna kishte vdekur nga dehidrimi, raporton BBC – transmeton Gazeta Sinjali.

 “Nëna e saj u vra. Nuk e dimë se sa kohë vajza po luftonte për jetën. Nuk mund ta imagjinojmë se sa vuajtje i është dashur të përballojë. Në minutat e fundit të jetës së saj ajo ishte e vetme, e dobët, e frikësuar, e etur”, ka thënë Boychenko.

Kryebashkiaku thotë se historia e vajzës, e përmendur edhe më herët sot nga presidenti Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij, ishte një nga shumë histori tragjike të Mariupolit, qyteti që mbijetoi në një bllokadë për tetë ditët e fundit.

“Pushtuesit rusë në mënyrë cinike e kanë lënë qytetin prej gjysmë milioni pa ujë, dritë, ngrohje dhe komunikim. Të gjitha rrugët për në qytet janë të bllokuara. Të gjitha përpjekjet për të ofruar ushqim dhe ilaçe për banorët e qytetit u bllokuan nga ushtria ruse”, ka shtuar më tej ai.

Boychenko i bëri thirrje Perëndimit të bëjë më shumë për të ndihmuar Ukrainën, duke përfshirë futjen e një zone ndalim-fluturimi.

Boychenko shtoi: “Nuk do ta kthejë Tanjen tonë, por do të shpëtojë jetën e mijëra fëmijëve të tjerë në Ukrainë”.

/GazetaSinjali/