Pas të shtënave me armë në Klinë, një person ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur.
Sinjali mëson se personi që u vra sonte është Fazli Hoxha, 23 vjeç nga fshati Gollubovc i Malishevës.
Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Në 20:43 minuta policia është njoftuar se ka të shtëna me armë zjarri dhe dyshohet për të plagosur. Me të arritur në vend të ngjarjes, është konstatu se dy persona janë të lënduar. Janë dërguar në Qendrën e mjekësisë familjare pastaj janë dërguar në emergjencën e Pejës. Pas pak kohe, mjeku kujdestar e ka konfirmuar vdekjen e njërës viktimë”, tha Gashi.
Siç mëson Sinjali, njëri vëlla i Fazliut është plagosur me armë zjarri, ndërsa tjetri është plagosur me lopatë në kokë.
Sipas burimeve të Sinjalit, viktimat kanë qenë për iftar në restorant me familje, kur u përballën me të dyshuarit.
Personat që dyshohen se i gjuajtën vëllezërit i pritën ata në parking të restorantit, ku eskaloi situata.
Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se vëllezërit janë pronarë të një autosalloni në Kijevë të Malishevës.
Në bazë të informatave të para të dyshuarit janë nga fshati Sferkë i Klinës.