Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një grua, e cila ishte e dënuar me 12 vite burgim për trafik droge, nga autoritetet e Norvegjisë.
E dyshuara deri më tani ishte në arrati mirëpo Policia e Kosovës ka arritur që ta arrestojë në Pejë, raporton Gazeta Sinjali.
“Sot me datë 08.02.2022, Policia e Kosovës në rajonin e Pejës, përmes një bashkëpunimi aktiv me Njësitin për persona të arratisur (FAST Kosova), që vepron në kuadër të ILECU-të, të Policisë së Kosovës, dhe bashkërendimit të aktiviteteve ndërmjet autoriteteve kompetente, ka arrestuar të dyshuarën femër (viti i lindjes 1969), e dënuar nga autoritetet norvegjeze për trafikim droge”, kanë bërë të ditur nga Policia.
Po ashtu, e dyshuara me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme. /GazetaSinjali/