Gazeta Sinjali raportoi për rreshterin e policisë, Ramadan Bullatovci, i cili dyshohet se së bashku me vëllezërit e tij, gjatë ditës së djeshme, sulmuan fizikisht komshinjtë e tyre në fshatin Miradi e Ulët, për shkak të një mosmarrëveshjeje që kishin për një pronë.
Si lindi konflikti mes fqinjëve?
Sinjali mëson nga burimet brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë se rreshteri policor, Ramadan Bullatovci, së bashku me vëllezërit e tij, ia kishin lëshuar pronën e tyre me qira kompanisë “Rukolli”, për ta ndërtuar aty një betoniere.
Mirëpo, ndërtimi i betonierës ishte kundërshtuar nga fqinjët e tyre, familja e Ramadan Bullatovcit.
Ramadani kishte bërë ankesë në Ministrinë e Ambientit, që kompanisë në fjalë të mos i lejohen punimet e betonierës në afërsi të shtëpive.
Ministria e kishte aprovuar kërkesën dhe ia kishte ndaluar punimet firmës “Rukolli”.
Lidhur me këtë ankesë, para dy muajsh, djali i Ramadanit, A., (emër i njohur për redaksinë), kishte pranuar një telefonatë kërcënuese nga rreshteri i policisë, Ramadan Bullatovci, i cili mban emrin dhe mbiemrin e njëjtë me personin të cilin dyshohet se e ka sulmuar.
Se ka bërë një telefonatë të tillë, e ka pranuar edhe vetë zyrtari policor. Ai ka thënë se këtë telefonatë nuk e kishte bërë me qëllim që t’i frikësojë ata, por vetëm për “t’ia tërhequr vërejtjen se mos me ardhë deri te konflikti”.
Gazeta Sinjali ka arritur që të sigurojë deklaratën e rreshterit policor, në të cilën ai ka thënë se fqinjin e tij e kishte takuar edhe njëherë në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, ku shërben si zyrtar policor dhe se me të ka pasur një bisedë.
Mirëpo, polici thotë se nuk e mban mend se çfarë kanë biseduar.
Çfarë ndodhi më 11 gusht te ura e Lumit Graçanka, në Miradi të Ulët?
Më 11 gusht, rreth orës 19:20, mbi urën e Lumit Graçanka, në fshatin Miradi e Ulët në Fushë Kosovë, Ramadan Bullatovci (qytetari) thotë se është takuar me fqinjin e tij, rreshterin policor, Ramadan Bullatovcin.
Në dokumentin që posedon Sinjali, ai ka deklaruar se polici i është drejtuar me fjalët “O m’ke ardhë për marka, bash qysh kom qef” dhe “kom me ta q* nanën”.
Qytetari ka pohuar se rreshteri policor kishte filluar ta godiste me duar në kokë dhe e ka rrëzuar. Pastaj, thotë se e ka goditur me shqelm në trup dhe e kishte zhveshur. Sipas raportit mjekësor, atij i është thyer hunda nga goditjet që ka pësuar.
I përgjakur ai kishte shkuar te një shtëpi që ndodhej afër urës, për të kërkuar ndihmë dhe nga aty e kishte telefonuar djalin e tij F., (emër i njohur për redaksinë) që të shkonte ta merrte me veturë.
Si u njoftuan familjarët e tjerë për rastin dhe çfarë ndodhi kur shkuan tek ura?
Nipi i Ramadanit, E. (emër i njohur për redaksinë) ka deklaruar se një shok e ka njoftuar se dikush ia ka rrahur gjyshin dhe i ka treguar babait të tij, djalin tjetër të viktimës së rastit, A., (emër i njohur për redaksinë) dhe bashkë me familjarët që kanë qenë duke shkuar në një dasmë, kanë shkuar tek ura, vendi ku ndodhi rasti.
Tek ura, ai ka thënë se janë takuar me policin dhe dy vëllezërit e tij, Bujarin dhe Hysniun, të cilët, sipas tij, kanë filluar që të gjuajnë me gurë në drejtim të tyre.
Madje, ai pretendon se Hysniu e ka sulmuar me një mjet të mprehtë në shpinë.
Polici dhe vëllezërit e tij dyshohen se e gjuajtën me gurë veturën me të cilën Ramadani po transportohej për në shtëpi.
Në dëshminë që posedon Sinjali, djali i Ramadanit, F. (emër i njohur për redaksinë) ka deklaruar se babai i tij e ka telefonuar, për t’i treguar se ku gjendet dhe se çfarë i kishte ndodhur te ura.
Pasi që e ka marrë babanë e tij me veturë, ai thotë se rrugës është takuar me rreshterin e policisë dhe vëllezërit e tij. Ai pretendon se njëri nga ta ka gjuajtur me tullë ose me gurë në drejtim të tyre, duke e goditur veturën.
Nipi tjetër i Ramadanit, E. (emër i njohur për redaksinë), ka deklaruar se rreshteri i policisë ka pasur në dorë një thikë, ndërkaq vëllezërit e tij kanë pasur në duar mjete të forta dhe kanë gjuajtur me gurë.
Ndërkaq, pasi që kanë arritur në shtëpinë e tyre, ai thotë se e kanë parë Bujarin, vëllain e policit, me një kallashnikov në dorë.
Çka deklaroi rreshteri i policisë dhe vëllezërit e tij para hetuesve?
Sinjali mëson nga burimet brenda prokurorisë që rreshteri policor e ka pranuar se e ka sulmuar komshiun e tij, Ramadan Bullatovcin, të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore.
Polici po ashtu e ka pohuar se ia ka zhveshur rrobat, por ka thënë se nuk i kujtohet se ku i ka gjuajtur.
Ai madje e ka pranuar se para dy muajsh e ka telefonuar djalin e Ramadanit, A. (emër i njohur për redaksinë), por thotë se nuk ka pasur qëllim që ta frikësojë, por e ka telefonuar për “t’ia tërhequr vërejtjen se mos me ardhë deri te konflikti”.
Rreshteri policor deklaroi po ashtu se njëherë e ka takuar A. në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” dhe të njëjtit kanë pasur një bisedë, por se nuk i kujtohet se çka kanë biseduar. Ai ka deklaruar se është penduar dhe se nuk do ta përsëris më këtë veprim.
Kurse, vëllai i tij, Bujar Bullatovci e ka mohuar se ka sulmuar dikë, por thotë se ka qenë i sulmuar nga familjarët e Ramadan Bullatovcit. Ai e mohon se e ka sulmuar ndonjërin prej tyre me mjet të mprehtë dhe nuk e pranon që ka pasur armë të gjatë (kallashnikov).
Vëllai tjetër, Hysniu e mohon se e ka sulmuar dikë, por sipas tij, ai me vëllezërit e tij janë sulmuar me gurë dhe se kushërinjtë i kanë ndejkur rreth 30 metra, për t’i larguar nga oborri. Ai e mohon po ashtu se ka poseduar një mjet të mprehtë ditën kur ndodhi rasti.
Cilat janë masat që organet e drejtësisë morën ndaj policit të dyshuar dhe vëllezërve të tij?
Prokurorja e rastit ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar që rreshteri i policisë, Ramadan Bullatovci dhe dy vëllezërit e tij, Bujar dhe Hysni Bullatovci, në bashkëkryerje, kanë kryer veprat penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, për çka edhe ushtroi kallëzim penal ndaj tyre.
Përveç kësaj, zyrtari policor i cili së bashku me vëllezërit ndodhet në ndalim policor për 48 orë, është suspenduar nga puna me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/