Një flamur turk i vendosur në një shtyllë elektrike në Prizren duket se u zuri rrugën pesë personave që po kalonin aty pranë, katër prej të cilëve janë të moshës së mitur. Sipas Policisë, ata janë nga fshati Rumajë dhe dyshohet se e kanë larguar flamurin nga shtylla elektrike dhe e kanë hedhur disa metra larg vendit.
Zëdhënësi i Policisë së rajonit të Prizenit, Vesel Gashi i tha Sinjalit se në lidhje me këtë rast janë shoqëruar pesë persona në stacionin policor, të cilët momentalisht janë duke u intervistuar dhe ndaj tyre është iniciuar rasti “Dëmtim dhe asgjësim prone”.
Gashi gjithashtu njoftoi se katër nga të arrestuarit janë të moshës së mitur, ndërsa një i moshës madhore, mirëpo që të gjithë i përkasin kombësisë shqiptare.
“Flamuri ka qenë mbi shtyllë elektrike është gjetur në tokë dhe e kanë hedh disa metra larg vendit. Me ndihmën e qytetarëve dhe ekzaminimit të video kamerave është kuptuar se kush janë të dyshuarit. Pesë persona janë shoqëruar në stacion dhe janë duke u intervistuar si të dyshuar për rastin në fjalë. Pas përfundimit të intervistimit, do të merret vendimi nëse do të ndalen apo jo“, tha ai.