Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka njoftuar se Shtabi Emergjent i kësaj komune është takuar sërish sonte, për të diskutuar për situatën e krijuar pasi që më shumë se 160 qytetarë të disa fshatrave të Deçanit kërkuan ndihmë mjekësore në QKMF, nën dyshimin se janë helmuar, raporton Gazeta Sinjali.
Ramosaj tha se numri i personave me simptoma të helmimit ka rënë gjatë orëve të pasdites dhe se gjendja e atyre që ndodhen në QKMF është përmirësuar.
I pari i Deçanit bëri të ditur se rezultati i mostrave të analizave për të gjitha ata që kanë simptomat e helmimit do të dalë nesër.
“Të dashur qytetarë dua të ju njoftoj se numri i personave me simptoma të helmimit ka rënë në orët e pasdites dhe se gjendja është përmirësuar dhe është nën kontroll dhe ju lus të mos shqetësoheni. Nesër do të dalin rezultatet e të gjitha mostrave të marra”, shkroi ai në Facebook.
Ndonëse ende nuk kanë dalë rezultatet e analizave, sipas mjekëve kujdestarë, dyshimet e para janë se ata janë helmuar nga uji i pijës./Gazeta Sinjali/