image Dyshimet për helmim nga uji në Deçan, banorët: Uji ka disa ditë që është i turbullt

Sociale

Dyshimet për helmim nga uji në Deçan, banorët: Uji ka disa ditë që është i turbullt

news image

Qindra qytetarë të komunës së Deçanit, që nga e shtuna kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF-në “Adem Ukëhaxhaj” në këtë komunë, kjo pasi që ata dyshohet se janë helmuar nga uji i pijes, shkruan Gazeta Sinjali.

Ndërkaq gjatë ditës së sotme në një Konferencë për media drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, Naser Ramadani, ka njoftuar se mostrat që janë marrë në fshatrat Gllogjan dhe Gramaçel kanë rezultuar disa koloni të dyshimta të baktereve.

Megjithatë, Ramadani ka thënë se nga rezultatet e dyta laboratorike të mostrave ka rezultuar se uji që vjen nga ujësjellësi rajonal i Deçanit nuk është i kontaminuar.

Gazeta Sinjali lidhur me këtë çështje ka biseduar më një nga 884 personat e helmuar që janë raportuar pasditen e sotme nga kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Marramendje, të vjella e diarre (barkqitje), janë vetëm disa nga simptomat që ka pasur Shkumbin Lushaj dhe gjashtë anëtarët e familjes së tij.

Lushaj i cili banon në fshatin Shaptej të komunës së Deçanit, ka thënë për Sinjalin se uji në këtë fshat ka disa ditë që është i turbullt.

“Uji ka disa ditë që nuk është i pastër, por i trubullt”, ka thënë ai.

Ai madje ka dërguar një video të ujit të bërë gjatë ditës së sotme, ku shihet se uji është në po të njëjtën gjendje, si javë më parë.

Tutje Lushaj ka treguar simptomat kishin filluar të shfaqeshin që nga dita e shtunë, mirëpo ai nuk i kishte marrë seriozisht ato.

“Simptomat kanë fillu me u shfaq të shtunën, por që nuk e mora seriozisht”, ka shtuar ai.

Kurse, rëndimi i këtyre simptomave ishte bërë më i rëndë, ditën e nesërmen, të dielën, kur ai kishte përjetuar të vjella e marramendje.

“Te dielën filluan të shfaqeshin me marramendje, të vjella, diarre”, pohoi Lushaj për Sinjalin.

Gazeta Sinjali të dielën kishte biseduar me ushtruesin e detyrës së udhëheqësit të “Hidrodrinit”, Petrit Januzaj, i cili kishte thënë se nuk mendon se helmimi ka ndodhur si pasojë e ujit.

Tutje ai kishte shtuar dyshimet për helmime me ujin janë vetëm supozime të mjekëve.

“Edhe shqetësimi i qytetarëve edhe ai inflamacion nuk është i rezultum, nuk ka rezultat që është prej ujit, vetëm në supozim vjen kjo. Unë nuk e di ndoshta është një ngutësi e mjekëve që duhet me dhanë përgjegjësi në qoftë se nuk vjen prej kësaj situate, e nuk duhet me bo kësi propagande”, kishte thënë Januzaj për Sinjalin.

Fshatrat ky dyshohet se është helmuar uji janë fshatrat Prilep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaçel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i Ri, në të cilët gjatë ditë së djeshme komuna ka ndërprerë furnizimin me ujë të pijes dhe ka kërkuar nga qytetarët që të mos e konsumojnë atë./Gazeta Sinjali/