image Dyshimet për dallavere me vota në Junik/ Krejt çka dihet deri më tani

Siguri

Dyshimet për dallavere me vota në Junik/ Krejt çka dihet deri më tani

news image

Gazeta Sinjali mbrëmë raportoi ekskluzivisht se në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është kapur në flagrancë zyrtarja e Komunës së Junikut, Blerina Sallaj, bashkëpunëtore e kandidatit të AAK-së për kryetar të kësaj komune, Agron Kuçit. E njëjta dyshohet se ka tentuar që të dërgojë në Mynih të Gjermanisë material të falsifikuar zgjedhor. 

E njëjta tashmë është ndaluar për 48 orë dhe dyshohet për veprën penale dhënie ose marrje e ryshfetit në lidhje me votimet. Lajmin e kanë konfirmuar për Sinjalin nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Lidhur me këtë rast, me aktvendim te prokurorit te shtetit është ndaluar një person ne kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak te dyshimit se ka kryer veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit ne lidhje me votimin”, nga neni 212 te KPRK-se. Lidhur me këtë çështje penale, prokurori i shtetit ne koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë te gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, thuhet në përgjigje.

Për këtë rast, Sinjali mëson se të dyshuar janë edhe disa zyrtarë të komunës së Junikut dhe disa aktivistë të AAK-së në diasporë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se dokumentacioni dyshohet se është falsifikuar dje, gjatë paradites në zyrat e komunës së Junikut.

Çka gjeti Policia në valixhen e Blerina Sallajt në Aeroportin e Prishtinës?

Sallaj dje ishte nisur për në Gjermani, me ç’rast Policia e Kosovës kishte gjetur në bagazhin e saj me qindra dokumente të votuesve të diasporës në komunën e Junikut të përgatitura paraprakisht, në mënyrë të organizuar në emër të votuesve të Junikut nga diaspora. Me këtë rast Policia ka sekuestruar telefonin e saj dhe një laptop me fletëvotime të diasporës dhe listën e votuesve në Junik për kryetar të komunës së Junikut në zgjedhjet e 14 nëntorit, shkruan Gazeta Sinjali.

Dosja që dyshohet të jetë e falsifikuar përmban kopje të letërnjoftimeve, lista me emra të 200 personave, të përgatitura për votim nga diaspora.

Sallaj gjatë intervistimit, siç ka mësuar Sinjali, ka deklaruar se këtë material ka pasur të ia dërgojë vëllait të kryetarit të komunës së Junikut, Agron Kuçit.

Sipas burimeve të Sinjalit, Blerina Sallaj është një nga bashkëpunëtoret më të ngushta të Agron Kuçit, i cili është kandidat nga AAK për kryetar të Junikut. Dyshohet se e arrestuara në bashkëkryerje edhe me persona të tjerë, ka tentuar që të dërgojë në mënyrë të organizuar votat nga diaspora në mbështetje të kandidatit Agron Kuçi.

Krimet e Rënda zbarkojnë në komunën e Junikut

Gazeta Sinjali gjatë ditës së stome ka raportuar se Drejtoria e Krimeve të Rënda ka zbarkuar në komunën e Junikut.

Krimet e Rënda kanë shkuar në Junik në kërkim të provave dhe të dyshuarve të tjerë që lidhen me rastin e dokumentacionit zgjedhor që dyshohet se u falsifikua në këtë komunë.

Reagimet pas raportimit të Sinjalit për dyshimet e falsifikimit të dokumentacionit zgjedhor

Pas raportimit ekskluziv nga Gazeta Sinjali të arrestimit në flagrancë të zyrtares së komunës së Junikut, Blerina Sallaj, bashkëpunëtore e kandidatit të AAK-së për kryetar të kësaj komune, Agron Kuçit, kanë reaguar nga kjo parti.

Dega e AAK-së në Junik ka shkruar se distancohet nga “çdo veprim i kujtdo që në çdo formë tenton ta njollosë procesin zgjedhor!”

Nga kjo parti kanë bërë “thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që ta zbardhin të vërtetën deri në fund.”

Kurse, kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuçi, ende s’e ka thënë asnjë fjalë lidhur me këtë rast.

Gazeta Sinjali ka tentuar të kontaktojë me të, por i njëjti e ka pasur të ndalur telefonin, ndërsa në rrjetin social Viber, nuk është përgjigjur.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/Gazeta Sinjali/