Dy persona janë arrestuar sot, pasi që të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprat penale “Trafikim me njerëz” dhe “Dhunim”, shkruan Gazeta Sinjali.
Hetuesit policorë pas hetimeve kanë identifikuar dy viktima të mitura 13 dhe 15-vjeçare, të cilat janë trajtuar sipas procedurave standarde të operimit dhe më datë 23 janë vendosur ne strehimore.
Ndërkohë, dy ditë më parë pas konsultimit me prokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe me urdhër të gjykatësit të procedurës paraprake në Ferizaj, është kontrolluar një lokal në qytetin e Ferizajt, ku dyshohet se ka punuar njëra nga viktimat e mitura, si dhe banesa ku janë strehuar viktimat e mitura.
Hetuesit policorë kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin, i cili ka punësuar dhe strehuar viktimat e mitura, i njëjti është intervistuar me prezencën e avokateve mbrojtës nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘trafikim me njerëz’.
Pas intervistimit me vendim të prokurorit të rastit është konfiskuar një telefon nga i dyshuari B.R., 40-vjeçar.
Në vazhdimësi gjatë hetimit të rastit sot është bërë identifikimi dhe arrestimi i të dyshuarit të dytë, i cili është 17-vjeçar, që dyshohet se ka kryer veprën penale “dhunim”
Pas intervistimit me vendim të prokurorit të rastit të dy të dyshuarit janë dërguar në qendrën e ndalimit policor për 48 orë./GazetaSinjali/