Gjatë ditës së djeshme, punëtorët e dy lokaleve këmbimore të parave në Pejë ishin pre e dy personave. Ata dyshohet se i kanë mashtruar duke këmbyer para të falsifikuara me ato origjinale, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Gazetës Sinjali, persona të afërt me pronarët e lokaleve njoftojnë se dje të dyshuarit kishin shkuar së pari në lokalin këmbimor “INDRITI”, rreth orës 14:20, ku kishin këmbyer 2 mijë e pesëqind dollarë, të cilat i kishte në kartëmonedha 50 dollarëshe me 2 mijë e 37 euro.
Ndërsa, në një diferencë hiç më të madhe se 25 minuta, ata kishin shkuar në lokalin këmbimor “KEMI”, ku kishin këmbyer të njëjtën shumë, prej 2 mijë e pesëqind dollarëve.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se të dy lokalet i kanë verifikuar paratë në aparatin i cili përdoret për të detektuar paratë nëse janë fals, por ato nuk kanë rezultuar të tilla në fillim. Se paratë janë të falsifikuara, punëtorët e të dyja lokaleve e kishin vërejtur vetëm më vonë.
Gazeta Sinjali mëson se hetimet lidhur me këto dy raste janë iniciuar, por të dyshuarit nuk janë kapur akoma./Gazeta Sinjali/