Gazeta Sinjali këtë të shtunë ka publikuar videon e rrahjes së përgjakshme që ka ndodhur ditë më parë në picerinë “Proper Pizza” në Prizren në të cilën u përfshinë disa persona.
Sinjali para publikimit të artikullit lidhur me këtë rast kishte kërkuar informacione edhe nga Prokuroria e Prizrenit, të cilët deri në publikimin e artikullit nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me rastin.
Gazeta Sinjali pas publikimit të artikullit ka kontaktuar përsëri me Prokurorinë në Prizren dhe të njëjti deri sot, pra dy ditë më vonë, u janë përgjigjur pyetjeve të Sinjalit.
“Lidhur me rastin të cilit i referoheni, Prokuroria Themelore në Prizren ju njofton se, rasti është akoma në procedurë fillestare, në drejtim të veprave penale “Lëndimi i rëndë trupor” nga neni 186 dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Hetuesit janë duke u marrë me rastin, andaj për çdo eventualitet do të njoftoheni me kohë”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Fitore Mehmeti-Sejrani për Sinjalin.
Gazeta Sinjali më 14 gusht ka publikuar pamjet ku shihet se si disa persona rrihen mes vete deri në përshkallëzim të situatës, ku të dyshuarit rrahen me grushte e karrige mes vete.
Madje në pamjet e rrahjes me grushte e karrige, shihet edhe një armë që i bie në tokë njërit nga personat e përfshirë në këtë rast.
Sinjali gjithashtu ka raportuar se pas publikimit të kësaj video në redaksinë e tonë kanë ardhur mesazhe të shumta në të cilat tregohet se njëri nga të dyshuarit në këtë rast është një person i njohur me nofkën Gabby Thaçi.
Sinjalizuesit kanë njoftuar se ky person është ende në arrati, ndonëse Policia është në dijeni për përfshirjen e tij në rrahjen e publikuar nga Sinjali.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/