image Duke pirë dhe duke dëgjuar muzikë, para krimit polici shkrepi me armë në një lokal

Kosovë

Detajet/ Duke pirë dhe duke dëgjuar muzikë, para krimit polici shkrepi me armë në një lokal

news image

Prokuroria Themelore e Gjilanit ka shpalosur detaje të reja lidhur me vrasjen e djeshme në Gjilan.

Polici Vllaznim Hamdiu, i cili dyshohet se e ka vrarë qytetarin Lulzim Spahiun, kishte shkrepur me armë edhe në një lokal ku po rrinte deri pak kohë para krimit.

Siç mëson Gazeta Sinjali, polici ishte duke pirë alkool në ambientet e lokalit.

“Gjithashtu, i njëjti dyshohet edhe për dy vepra penale: ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, pasi që iu janë gjetur edhe dy revole të tjera dhe fishekë të llojeve të ndryshëm, si dhe veprën penale ‘’Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’’, pasi që para rastit të ndodhur, derisa ishte duke dëgjuar muzikë në një lokal në fshatin Malishevë, në brendësi të lokalit ka shkrepur me armë zjarri”, ka njoftuar Prokuroria.

Ndaj policit, Prokuroria Themelore në Gjilan ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

Sipas Prokurorisë, “ekziston dyshimi i bazuar që, i dyshuari V.H., më 29 dhjetor 2019, rreth orës 04:50 minuta, në rrugën ‘’Nato 99’’, në Gjilan, ka privuar nga jeta të ndjerin L.S., në atë mënyrë që derisa ishte duke lëvizur me veturën e tij, shkaktohet aksident trafiku me kamionin, të cilin ishte duke e drejtuar i ndjeri L.S, ku pas aksidentit, i dyshuari del nga vetura dhe pas kacafytjes, kërcënimeve dhe sharjeve mes tij, viktimës dhe djalit të viktimës, i dyshuari e nxjerrë armën e zjarrit dhe pasi viktima hyn në kamion, i njëjti afrohet tek dera e kamionit dhe me armë gjuan një herë në drejtim të tij, me ç’rast e godet nën vetullën e syrit të djathtë, i cili për shkak të plagëve të marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes”.

48 orë ndalim i janë caktuar menjëherë policit, pas intervistimit që i është bërë dje në stacionin policor të Gjilanit. /Gazeta Sinjali/