Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi i ka reaguar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili mbrëmë në profilin e tij në Facebook shkroi se aksioni në veri ku ra heroi Enver Zymberi, u ndërpre nga presidenti Hashim Thaçi.
Gjoshi e quan të pafytyrë Kurtin, teksa shton se po mundohet të përfitojë politikisht në përvjetorin e rënies së Enver Zymberit, shkruan Gazeta Sinjali.
“Duhet të jesh i pafytyrë si Albin K. për t’u munduar të përfitosh politikisht në përvjetorin e rënies së heroit Enver Zymberi. Jemi mësuar me këtë njeri që nga rehatia që ia ofron Norvegjia të hedhë vrerë e baltë mbi Hashim Thaçin që i vetmi kishte guximin për të urdhëruar aksionin për sovranitet me 25 korrik 2011”, ka shkruar ai në Facebook.
Më tej, Gjoshi shprehet se Kurti sa ishte kryeministër ia hapi derën presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit për të menaxhuar me pandeminë në komunat veriore të Kosovës./Gazeta Sinjali/