Këngëtarja e njohur shqiptare me famë botërore, Dua Lipa sot gjatë konferencës së mbajtur për media në kuadër të “Sunny Hill Foundation” dhe “Sunny Hill Festival” u shpreh se ndjehet krenare që organizon këtë festival.
“S’po di as ku me ja nise. Më së pari po du me thanë faleminderit shumë krejtve që keni ardhë sot edhe për krejt mbështetjen që po na jepni, e që e keni bo të mundur që na me mujt me mbajte festivalin në Prishtinë.”, ka thënë këngëtarja.
Më tutje artistja shqiptare ka thënë se projekti i “Sunny Hill Foundation” ka qenë një ëndërr e madhe për të dhe i falënderoi të gjithë që e kanë mundësuar të e realizojë këtë ëndërr.
“Kjo u kanë një ëndërr e madhe e neve që për me mujt me pasë një hapësirë, ku fëmijët dhe rinia mundën me ardhë se po e dijmë sa kena kreativa edhe po e dijmë sa ka talent në Kosovë në përgjithësi edhe me mujt me pasë një vend diku, një bazë për të gjithë me ardhë edhe me shpreh talentin.”, tha ajo.
Dua tha se qëllimi i saj kryesor në kuadër të këtij projekti ka qenë që me bë diçka më ndryshe për ardhmërinë e rinisë. “ Qajo u kanë një ëndërr për neve shumë e madhe, kështuqë kur tash po e shohim se po bohet realitet shumë po ndihna krenare që po mundem me bo sot këtë nënshkrimin”, u shpreh Lipa.
Në këtë konferencë, “Sunny Hill Foundation” në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës nënshkruajtën një marrëveshje, ku do të investojnë në vlerë prej 150 mijë eurove në rregullimin e hapësirave, “Sunny Hill Academy”. Në këtë shkollë do të ketë instrumente dhe gjëra të tjera që nevojiten për talentet e rinj në Kosovë, që të mund të ushtrojnë aty./Sinjali/