Presidenti Bajram Begaj ia ka dhënë shtetësinë shqiptare Dua Lipës, këngëtares me origjinë shqiptare, të famshme tashmë në të gjithë botën.
Begaj priti sot artisten e mirënjohur dhe vlerësoi talentin e saj, shpirtin artistik si dhe angazhimin e saj në mbështetje të kauzave sociale.
“Është kënaqësi e veçantë që sot presim artisten e madhe Dua Lipa. Them artiste e madhe, por ajo është edhe një vajzë e thjeshtë, që krenarinë më të madhe na e ka dhënë ne, Shqipërisë, Kosovës dhe kudo ku ka shqiptarë nëpër botë. Rinia shqiptare ju ka shembull dhe ju keni treguar se ëndrrat arrihen duke punuar gjithnjë e më shumë. Ti i ke bërë të gjithë shqiptarët bashkë! Ndaj kam kënaqësinë t’ju jap shtetësinë shqiptare”, u shpreh Presidenti Begaj.
Dua do të përmbyllë turneun e saj botëror “Future Nostalgia” në sheshin Skënderbej me 28 Nëntor.
“Jam shumë e emocionuar t’ju lajmëroj se “Future Nostalgia” do të përmbyllet në Tiranë me 28 Nëntor. Mezi po pres t’ju shoh me 28 Nëntor, për ditën e flamurit dhe për 110 vjetorin e Pavarësisë.“, tha ajo.