image Drogë dhe lojëra fati brenda lokalit, arrestohen dy vëllezërit në Malësi të Madhe

Shqipëri

Drogë dhe lojëra fati brenda lokalit, arrestohen dy vëllezërit në Malësi të Madhe

news image

Dy vëllezër nga Malësia e Madhe janë arrestuar nga Policia pasi përshtatën lokalin për përdorim droge dhe ushtrim të lojërave të fatit.

Sipas policisë, të arrestuarit janë shtetasit Emanuel dhe Gabriel Popaj.

Njoftimi i policisë:

Malësi e Madhe/Goditen 2 raste të vënies në dispozicion të lokaleve, për përdorimin e drogave dhe për ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Poker 6”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe.

Vihen në pranga 2 shtetas (vëllezër) që kishin përshtatur lokalin, për përdorim droge dhe ushtrim të veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, në fshatin Vukpalaj të Malësisë së Madhe.

Shpallet në kërkim pronari i një lokali tjetër, në fshatin Bajzë të Malësisë së Madhe, pasi kishte përshtatur lokalin e tij, për organizimin e lojës poker dhe lojës me makineta.

Sekuestrohen një sasi lënde narkotike kokainë, 5 makineri elektronike, një tavolinë pokeri dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, të DVP Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit, që ushtrohej në lokale, në zonën e Malësisë së Madhe, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Poker 6”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:

E. P., 27 vjeç dhe G. P., 22 vjeç (vëllezër), banues në fshatin Vukpalaj, Malësi e Madhe, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Fshehja e të ardhurave”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarise kriminale”, kryer në bashkëpunim.

Këta shtetas kishin përshtatur lokalin e tyre, në fshatin Vukpalaj, për përdorim droge dhe organizim të lojërave të fatit.

Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe 2 makineta që shërbenin për lojërat e fatit.

Në vijim të operacionit, mbështetur dhe në inteligjencën informative, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në lokalin në pronësi të shtetasit L. H., 51 vjeç, banues në fshatin Bajzë.

Gjatë kontrollit në ambientet e këtij lokali, Policia gjeti dhe sekustroi 3 makineta për lojëra fati dhe 1 tavolinë pokeri.

Në momentin e kontrollit, pronari i lokalit, shtetasi L. H. nuk është gjetur në subjektin e tij.

Në vijim të veprimeve është bërë shpallja në kërkim e tij, për veprat penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Vijon puna intensive për kapjen e tij.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

/GazetaSinjali/