image Drejtori i shkollës shkon në ekskursion, mërgimtari pret një javë për dëftesë

Kosovë

Arsim/ Drejtori i shkollës shkon në ekskursion, mërgimtari pret një javë për dëftesë

news image

Nga Anglia ka ardhur në Kosovë për të marrë një dëftesë në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, aty ku kishte vijuar mësimin vite më pare. Mirëpo, Lulzim Zagragjajt iu desh të priste një javë për këtë procedurë. E krejt kjo sipas tij ka ndodhur si pasojë e mungesës së vulës, pasi atë e kishte marrë drejtori i gjimnazit me vete në shëtitje.

Lulzim Zagragjaj ka ardhur nga Anglia për të marrë dëftesën në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, aty ku vijoi mësimet vite më parë.

Mirëpo, ai ka thënë se për këtë procedurë i është dashur të presë një javë, e kjo për arsye se vula që duhej për ta vulosur atë dokument.

Por atë e kishte marrë drejtori i gjimnazit në shëtitje.

“Sekretaria bëri punën e vet nuk mund ta lëshonte dëftesën sepse nuk ishte vula. Unë kuptova se vulën e kishte marrë me vete drejtori që kishte shkuar në ekskursion. Është çështje e tij apo institucionit se kush e organizon këtë punë, por për mua është e pakuptimtë që sekretari nuk e kishte vulën për të më vulosur mua dëftesën”, shprehet mërgimtari Lulzim Zagragjaj për RTV Dukagjini.

E, drejtori i Gjimnazit “Sami Frashëri”, Fetah Zejnullahu, ka pohuar se vulën e kishte në ekskursion në Shqipëri. Ai është arsyetuar se e ka marrë në rast nevoje gjatë udhëtimit.

“Ne e kemi pasur ekskursionin prej 8-12 të këtij muaji. Në ekskursion kanë marrë pjesë 350 nxënës dhe gjatë kalimit në kufi ka pasur procese për ndonjë dokumente që mund të nevojitej për kalim kufiri dhe në këtë rast vulën e kam pasur me vete. Kjo është arsyeja pse zëvendësdrejtori nuk ka mundur të vulosë atë dokumentacion”, deklaroi Fetah Zejnullahu.

Drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, në emisionin “Zyra e Ankesave” ka thënë se në një rast të tillë, vula duhet t’i lihet një personi të autorizuar.

“Në momentin që drejtori shkon në ndonjë udhëtim vula duhet t’i lihet ndonjë personi të autorizuar sepse shkolla me 1,200 nxënës, sa ka ‘Sami Frashëri’ nuk mund të lidhet vetëm për një individ. siç është drejtori në këtë rast”, tha Shpresa Shala.

Shala ka shtuar se do të merren masa për këtë rast.