image Drejtori i policisë në Gjakovë i pakompromis, suspendon 7 policë për keqtrajtim të qytetarit që iu thyen 3 brinjë

Siguri

Drejtori i policisë në Gjakovë i pakompromis, suspendon 7 policë për keqtrajtim të qytetarit që iu thyen 3 brinjë

news image

Gazeta Sinjali raportoi sot se një qytetar në Gjakovë ka përfunduar në spital me tre brinjë të thyer për shkak se ndaj tij është përdorur dhunë nga policia, me arsyetimin se nuk i është bindur urdhrit për t’u ndalur, pasi që nuk kishte respektuar rregullat e komunikacionit.

Drejtori rajonal i policisë në Gjakovë, Lumni Graishta, tha për Gazetën Sinjali se ka suspenduar shtatë zyrtarë policorë të përshirë në këtë rast.

“Lidhur me rastin e raportuar për ‘keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare’, mund t’ua konfirmoj se si drejtor rajonal, kam suspenduar 7 zyrtarë policorë të involvuar në rast. Tani, nuk mund të flas për përgjegjësinë e tyre individuale, ngase me rastin po merret IPK, si autoritet kompetent për zhvillimin e hetimeve, por suspendimin e tyre e kemi konsideruar si të domosdoshëm për zhvillimin pa pengesa të procedurës së mëtutjeshme hetimore”, tha Graishta.

Tutje, Graishta deklaroi se ai dhe menaxhmenti i policisë janë të përkushtuar dhe po bëjnë gjithçka, siç tha ai, për të “ruajtur imazhin e policisë dhe mbrojtur të drejtat dhe liritë e njeriut, si dhe besimin e qytetarëve në Policinë e Kosovës, si vlerë që na shoqëron që nga themelimi i forcës policore”./Gazeta Sinjali/