image Drejtori i Infektivës flet për gjendjen me COVID-19, sipas tij masat rigoroze janë të domosdoshme

Shëndetësi

Drejtori i Infektivës flet për gjendjen me COVID-19, sipas tij masat rigoroze janë të domosdoshme

news image


Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, ka thënë se masat rigoroze janë të domosdoshme për parandalimin dhe kontrollin e infeksionit.

Tutje, ai tha se doza e tretë përforcuese duhet të merret, duke shtuar se varësisht nga situata epidemiologjike mund të merret vendim edhe për dozën e katërt.

“Masat rigoroze i rekomandon paneli i ekspertëve të ministrisë së Shëndetësisë. Ato masa janë të domosdoshme me qëllim të parandalimit dhe të kontrollit të infeksioneve dhe në përgjithësi të parandalimit të Covidit. Këto masa e kanë qëllimin e vetëm shpëtimin e jetës dhe ruajtjen e shëndetit  të popullit tonë”.

“Ne duhet t’i aprovojmë rekomandimet që vijnë nga institucionet tona. Doza e tretë përforcuese duhet të merret. Kurse sa i përket dozës së katërt varësisht nga situata epidemiologjike  është paneli që merret me vaksinimin e merr vendimin e vet. Ne jemi në vazhdimësi duke u koordinuar me të gjithë akterët e mundshëm dhe në kuadër të klinikës jemi duke i bashkërenduar aktivitetin tonë edhe me Ministrinë e Shëndetësisë në mënyrë që të gjitha rajonet janë të gatshme që të përballen me pandeminë”.

Doktor Vishaj tha se pacientët të cilët kanë pasur sëmundje shoqëruese si hipertensioni dhe sëmundja e zemrës edhe pas kalimit të Covid-19 kanë manifestuar formë të rëndë me javë e muaj të tërë.

“Shërimi total është individual. Kjo varet prej gjendjes klinike të pacientit. Kemi pacientë të cilët për një periudhë dy javore gjatë trajtimit janë kthyer në gjendje normale”.

“Mirëpo kemi pacientë që kanë pasur sëmundje bashkëshoqëruese siç është hipertensioni, sëmundja e zemrës të cilët edhe pas kalimit me Covid kanë manifestuar formë të rëndë me javë e muaj. Ky virus mund të zgjasë në një periudhë të caktuar. Sido që të jetë ne duhet të përgatitemi dhe të qëndrojmë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore të pacientëve tanë”.

Sipas tij, kur një grua është në muajt e avancuar të shtatzënisë mund t’i përkeqësohet gjendja, andaj rekomandohet vaksinimi i menjëhershëm, raporton EO.

 “Sa i përket planit të vaksinimit është qendra kombëtare dhe ne i rekomandojmë vaksinimin e grave dhe mendojmë që vaksinimi i grave shtatzëna është i domosdoshëm dhe i rëndësishëm sepse kur kemi të bëjmë me një grua që është në muajt e avancuar të shtatzënisë ajo ashtu kështu ka vështirësi në frymëmarrje dhe nëse kemi prekje të lehtë mushkërore mundësia e përkeqësimit të gjendjes është shumë e madhe. Andaj rekomandojmë që gratë shtatzëna të vaksinohen”.

/GazetaSinjali/