Serbja e parë e kthyer në Gjakovë, Dragica Gashiq, pretendon se i është thyer dhe plaçkitur banesa e saj.
Kështu ka deklaruar ajo për REL-in, por një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga Policia e Kosovës, ndonëse ajo pretendon se këtë rast e ka paraqitur në polici.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovë, Nysret Xhurkaj, tha për Gazetën Sinjali se ka informacion se Gashiq është kthyer nga një vizitë që kishte bërë te motra e saj në Klinë, e shoqëruar nga policia, por që ende nuk ka një raport që ajo ka denoncuar një rast të tillë.
“Ajo ka qenë në vizitë te motra e saj në Klinë, është kthyer sot e shoqëruar nga policia dhe është vendosur para banesës së saj. Nuk kam informacion që ka paraqitur një rast të tillë në polici”, tha Xhurkaj.
Sipas saj, në banesë mungojnë sendet e saj personale, ushqimi, kamera e sigurisë dhe pajisja e internetit.
Gjëja më e vështirë, sipas saj, është se dera e përparme nuk mund të mbyllet tani dhe se ajo nuk e di se si do ta kalojë natën në këto kushte.
“Nuk mund të riparohet assesi”, tha Gashiq.
Në fund të qershorit, Gashiq ka bërë përpjekje ta ndryshojë derën e jashtme të banesës dhe ta zëvendësojë atë me një të blinduar, por policia nuk e ka lejuar ta bëjë këtë, me arsyetimin se duhet të marrë leje komunale për diçka e tillë.
Në fillim të korrikut, Komuna e Gjakovës ka ngritur padi kundër Gashiqit në Gjykatën Themelore në Gjakovë, duke kërkuar që ajo “të anulojë kontratën për marrjen me qira të banesës”.
Në lidhje me plaçkitjen e pretenduar të banesës së saj reagoi edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
“Padyshim, ata që e ndaluan Dragicën të vendosë derën e blinduar, donin ta shënjestronin atë për të disatën herë dhe kërcënimet e tyre u realizuan”, thuhet në reagimin e Zyrës për Kosovën në Beograd.
Në këtë reagim thuhet se për këtë incident do të njoftohen Brukseli dhe misionet ndërkombëtare në Kosovë./Gazeta Sinjali/