image Dosja e Prokurorisë për tri infermieret: Dhunën e arsyetuan, sekuestrohen telefonat – përmendet kërcënimi i aktores

Ekskluzive

Dosja e Prokurorisë për tri infermieret: Dhunën e arsyetuan, sekuestrohen telefonat – përmendet kërcënimi i aktores

news image

Publikimi i pamjeve të rrahjes së të moshuarës në qendrën për përkujdesjen e të moshuarve “Orenda” në Pejë u bë ‘sebep’ për arrestimin e tri infermiereve të përfshira në këtë rast që dyshohet se ka ndodhur para disa ditësh. Tri infermieret e dyshuara Aurona Pelaj, Altina Rexhepi dhe Remzie Kuqi, kanë dalë sot para Gjykatës dhe shumë shpejt pritet të merret vendimi mbi kërkesën e Prokurorisë për paraburgim. Sinjali ka siguruar dosjen e Prokurorisë për këtë rast dhe ju sjellë detaje ekskluzive.

Tri infermieret e dyshuara, Pelaj (23-vjeçare), Rexhepi (24-vjeçare), si dhe Kuqi (41-vjeçare), me vendim të Prokurorit të Shtetit ndodhen nën masën e ndalimit policor, që nga dita e djeshme kur edhe u publikuan pamjet tronditëse.

Por çfarë thuhet në kërkesën për paraburgim – cili është arsyetimi i Prokurorisë?

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit ndaj tri të dyshuarave, të cilat janë ndaluar pasi dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi”. Ndaj tyre, Policia ka parashtruar kallëzim penal, pas marrjes në pyetje të infermiereve të dyshuara, sekuestrimit të disa sendeve (telefonave) që do shfrytëzohen si prova, si dhe pamjeve të publikuara.

Të dyshuarat sipas Prokurorisë duhet të dërgohen në paraburgim, pasi nëse mbrohen në liri, ekzistojnë rrethana që mund të ndikojnë te dëshmitarët që ende nuk janë deklaruar, siç është një pjesë e stafit të qendrës “Orenda”, te punëtorja tjetër e suspenduar, e cila ka qenë dëshmitare e ngjarjes, si dhe te vet viktima.

Arsyetimi i infermiereve për dhunën e ushtruar ndaj të moshuarës

Pas fillimit të procedurës penale ndaj të dyshuarave dhe mbledhjes së informacioneve dhe provave të tjera, Prokuroria vlerëson se të dyshuarat në dhënien e deklaratave u kanë dhënë shkas veprimeve të tyre në përdorim të forcës, me arsyetimin se kanë pasur qëllim vënien në kontroll të viktimës.

Prandaj, sipas Prokurorisë, të dyshuarave duhet t’u caktohet masa e paraburgimit, edhe për shkak  të rrethanave dhe mënyrës se si është kryer vepra penale, shkallën e lartë të pjesëmarrësve në rast.

Kërcënimet ndaj aktores që publikoi pamjet – pjesë e dosjes së Prokurorisë

Në dosjen e Prokurorisë po ashtu janë përmendur edhe kërcënimet që ka pranuar aktorja, Kaltrinë Zeneli, e cila që ka shpërndarë e para pamjet e tmerrshëm të rrahjes të së moshuarës, duke vlerësuar se ekziston rreziku se të dyshuarat mund ta përsërisin veprën penale ose të vijë deri të kryerja e ndonjë vepre tjetër.

Ndryshe, Gazeta Sinjali ka publikuar mbrëmë rrëfimin e të dyshuarës kryesore, Aurora Pelajt, e cila është shprehur e penduar, duke u arsyetuar se viktimën e sulmoi në vetëmbrojtje.

Pamjet që u shpërndanë të mërkurën në rrjetet sociale kanë tronditur vendin. Aty shihet se si Aurona Pelaj sulmon gruan e moshuar, duke e goditur me shuplaka dhe shqelma, teksa koleget e saj qeshin dhe incizojnë pamjet. “Pak jam tu ja hi, qysh di me sill unë.. pak jam tu ja hi”, dëgjohet duke thënë Pelaj derisa ushtronte dhunë ndaj të moshuarës.

Ky rast i tmerrshëm që nxiti shumë reagime gjithandej dhe bëri jehonë edhe në mediat ndërkombëtare, shtyu Odën e Infermiereve të Kosovës t’ua tërheq licencat katër infermiereve të suspenduara.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/