image "Dorëzohet" Murati, e pranon që gjuha e përdorur ndaj veteranëve ishte gabim: Kërkoj ndjesë gjithë luftëtarëve

Politikë

“Dorëzohet” Murati, e pranon që gjuha e përdorur ndaj veteranëve ishte gabim: Kërkoj ndjesë gjithë luftëtarëve

news image

Pas reagimeve të shumta në mbarë opinionin publik, që pasoi me kërkesa nga opozita për dorëheqje të ministrit Murati, vjen reagimi i tij, pas dy ditëve.

Këto reagime erdhën pas publikimit të statuseve të vitit 2016, kohë kjo kur ministri i tanishëm, Hekuran Murati, vlerësonte se më mire do ishte nëse do paguanim mercenarë, për çlirimin e Kosovës, sesa veteranët të cilët edhe duhet edhe t’i falënderojmë.

Tre muaj nga dy mijë euro bëjnë gjashtë mijë euro për kokë – 20 mijë mercenarë të përgatitun ushtarakisht kishin me na kushtu veç 120 milionë euro gjithsejtë. Edhe as faleminderit s’kish pas nevojë me iu thanë“, shkruante Murati.

Ndërsa sot, ministri Murati ka shkruar se i përulet sakrificës së secilit dëshmor e kontributit të secilit ushtar të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shkrimet e para disa viteve kanë qenë nga mllefi me ata që asokohe me fryrjen e listave për përfitime financiare e politike po shtrembëronin historinë e luftës dhe të vërtetën tonë kolektive. Ju siguroj se ato shkrime nuk kanë pasur synim ofendimin ndaj ushtarëve dhe dëshmorëve“, ka shkruar Murati në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka vazhduar duke e pranuar se gjuha e përdorur ka qenë gabim, prandaj ka kërkuar falje.

E pranoj që gjuha e përdorur atëherë ka qenë e gabuar, prandaj ju kërkoj ndjesë të gjithë luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre“, ka përfunduar ministri i Financave, Hekuran Murati.

/GazetaSinjali/