Njëri nga të shumëkërkuarit nga Policia e Kosovës për një grabitje të çuditshme që ndodhi më 24 qershor të këtij viti në fshatin Zasellë të Mitrovicës, është vetëdorëzuar në Polici.
Gazeta Sinjali merr vesh nga burime të sigurta brenda Prokurorisë se Policia e ka kërkuar atë në shtëpi, ndërkaq J.J. është paraqitur në Polici rreth orës 09:30.
Pasi është intervistuar, me urdhër të prokurorit, J.J është liruar në procedurë të rregullt.
Më 24 qershor, një shitës patikash me pakicë ishte angazhuar që ta çojë një porosi në Mitrovicë. Tre persona, nëpërmjet telefonit e kanë udhëzuar atë që shkojë në fshatin Zasellë. Në një rrugë malore të këtij fshati, sipas viktimës, përpara i ka dalë një person me kapelë dhe dy persona mbrapa me shallë dhe duke e kërcënuar me thikë, ia kishin marrë atij të gjithë pazarin e ditës, në vlerë prej 1 mijë eurosh. Sipas tij, ia kishin marrë edhe telefonin e firmës dhe shtatë palë patika në vlerë rreth 155 euro.
Rreth një javë më parë, më 3 shtator, me urdhëresë të Gjykatës Themelore të Mitrovicës ka arrestuar N.B., njëri nga të dyshuarit, të cilin e kishin ndaluar për 48 orë, kurse i dyshuari tjetër, V.S., nuk ishte gjetur në shtëpi.
Gjatë bastisjeve, ishin sekuestruar edhe disa dëshmi lidhur me rastin. /Sinjali