Kryetari i grupit punues për themelimin e Fondit Sovran, Besnik Pula, ka njoftuar se e ka dorëzuar draftin përfundimtar të Koncept Dokumentit për themelimin e Fondit Sovran të Kosovës.
“Sot, në emër të Grupit Punues për Themelimin e Fondit Sovran, pata nderin dhe kënaqësinë e veçantë që në Qeverinë e Republikës së Kosovës ta dorëzoj draftin përfundimtar të Koncept Dokumentit për Themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës”, ka thënë Pula.
“Ky dokument përben bazën konceptuale dhe strategjike për themelimin e Fondit Sovran, përfshirë konceptin dhe hapat për vendosjen e bazës ligjore dhe institucionale të Fondit”.
“Ai është produkt i një pune të gjerë dhe sistematike të Grupit Punues me përbërje nga Arta Hoxha, Edison Jakurti, Emanuel Bajra dhe Tea Blakaj Hoxha, dhe të koordinuar nga unë”.
Pula e quajti këtë veprim si hap të parë drejt themelimit të Fondit Sovran.
Duhet theksuar se ky është vetëm hapi i parë në rrugën drejt themelimit të Fondit Sovran. Qeverinë e presin punë të shumta dhe të mëdha. Besoj se flas në emër të gjithë anëtarëve të Grupit Punues që mbesim të gatshëm dhe të përkushtuar që ta mbështesim këtë proces deri në fund”.
“Për informim të drejtë: publikimi i Koncept Dokumentit në fjalë nuk është në autoritetin e Grupit Punues. Sipas procedurave të parapara, ai bëhet publik pas shqyrtimit dhe miratimit nga Komiteti Ekzekutiv i Qeverisë së Kosovës”.