image Donfried: Takova Kurtin dhe Osmanin, s’shprehën asnjë kusht për dialogun

Politikë

Donfried: Takova Kurtin dhe Osmanin, s’shprehën asnjë kusht për dialogun

news image

Ndihmës-sekretarja Amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, ka thënë se në takimin që pati me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti, ata nuk kanë shprehur asnjë kusht për dialogun me Serbinë.

Donfried tha se Kurti dhe Osmani u shprehën të gatshëm për t’u angazhuar me seriozitet dhe kreativitet në dialog, duke mos kërkuar asnjë kusht.

“Kuptimi i qartë që e kam nga ajo që të dytë, presidentja dhe kryeministri, më thanë se ka gatishmëri për t’u angazhuar me seriozitet dhe kreativitet në dialog dhe nuk pati asnjë kusht që u shpreh për këtë”, tha Donfried.

Ajo shtoi se nuk ka njohuri për afate kohore specifike sa i përket dialogut, por tha se nëse ka vullnet nga të gjitha anët do të ketë lëvizje pozitive.

“Dje pata mundësinë që të flas me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti dhe mendoj se ata e ndajnë ndjenjën tonë sa e rëndësishme është që dialogu i lehtësuar nga BE-ja të ecë përpara. Sipas pikëpamjes sime, është e qartë se e ardhmja e Kosovës është si anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. E jetike për të ecur drejt atyre qëllimeve është një marrëveshje gjithëpërfshirëse që synon normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë e përqendruar në njohjen e ndërsjellë”, u shpreh ajo në T7.

“Ne e shohim këtë dialog të lehtësuar nga BE-ja si pjesë kyçe të saj dhe për këtë arsye jemi kaq të etur që të shohim përparim. Nuk i di afatet kohore specifike, por mendoj se do të shohim lëvizje pozitive nëse ka vullnet nga të gjitha anët”, tha Donfried.

/GazetaSinjali/