Gjenerali amerikan, Mark Milley ka thënë se pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë do të ishte “i tmerrshëm” dhe do të rezultonte me një numër të madh të viktimave.
Gjenerali Milley e ka përshkruar pozicionimin e gati 100,000 trupave ruse afër kufirit të Ukrainës, si hapin e tillë më të madh prej Luftës së Ftohtë.
Mirëpo Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin ka thënë se konflikti mund të shmanget ende përmes diplomacisë.
Rusia mohon se planifikon të pushtojë Ukrainën dhe se e sheh përkrahjen amerikane ndaj këtij shteti si kërcënim.
Në një konferencë për media në Pentagon, Gjenerali Milley – zyrtari më i lartë ushtarak i presidentit amerikan, Joe Biden – ka paralajmëruar se numri i forcave ruse afër kufirit me Ukrainën nënkupton se sulmi do të kishte pasoja të rënda.
“Nëse kjo gjë do të niste në Ukrainë, do të ishte e madhe, shumë e madhe dhe do të rezultonte me një numër të madh të viktimave”, ka thënë Milley.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Llody Austin, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të ndihmuar Ukrainën që të mbrojë veten, duke përfshirë furnizimin me më shumë armë.
“Konflikti nuk është i pashmangshëm. Ka ende kohë dhe vend për diplomaci”, ka thënë Austin, duke i bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin për ulje të tensioneve.
“Nuk ka arsye që kjo situatë të kalojë në konflikt… Ai mund të urdhërojë largimin e trupave”, ka shtuar ai.
Të premten, 28 janar, presidenti Biden ka thënë se do të dërgojë një numër të vogël të trupave ushtarake në Evropën Lindore në të “ardhmen e afërt” për të forcuar prezencën e NATO-s në rajon.
Ai nuk e ka specifikuar se ku saktësisht do të pozicionohen dhe kur do të arrijnë trupat.
Më herët gjatë javës, Pentagoni ka thënë se 8,500 trupa ushtarake janë të përgatitura për t’u nisur menjëherë pas dhënies të urdhrit.
Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar një kërkesë kyçe të Moskës që NATO-ja të mos pranojë Ukrainën – mirëpo kanë insistuar se po i ofrojnë Rusisë “një rrugë diplomatike serioze”.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka akuzuar Perëndimin se po injoron shqetësimet e Rusisë për çështje të sigurisë.
Mirëpo ai ka thënë se do të studiojë përgjigjen amerikane para se të vendosë se çfarë do të bëjë, është thënë në detajet e publikuara pas bisedës telefonike mes Putinit dhe homologut të tij francez, Emmanual Macron.
Franca ka thënë se të dy liderët janë pajtuar se ka nevojë për ulje të tensioneve dhe se presidenti Macron i ka thënë Putinit se Rusia duhet të respektojë sovranitetin e shteteve fqinje.
Paralajmërimet nga Pentagoni kanë ardhur pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka thënë gazetarëve që të mos krijojnë panik rreth pozicionimit të trupave ruse në kufi.
Në një konferencë për media në Kiev, Zelenskyi ka thënë se nuk sheh kërcënim më të madh tani sesa gjatë një pozicionimi të ngjashëm të trupave ruse në pranverën e vitit të kaluar.
“Ka sinjale edhe nga liderë të respektuar të shteteve, ata thonë se nesër do të ketë luftë. Ky është panik – sa shumë i kushton shtetit tonë?”
“Destabilizimi i situatës brenda shtetit” përbën kërcënimin më të madh për Ukrainën, ka thënë ai.
Në kërkesat e Moskës ndaj Perëndimit përfshihen edhe ato që:
Ukraina të mos pranohet në NATO
NATO-ja t’i japë fund aktivitetit ushtarak në Evropën Lindore dhe të tërheqë trupat nga Polonia dhe republikat baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania
Aleanca veriatlantike të mos pozicionojë raketa në shtetet afër apo në kufi me Rusinë
Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja janë përgjigjur duke thënë se Ukraina ka të drejtë të zgjedhë aleatët e vet, mirëpo i kanë ofruar Rusisë mundësinë e negocimit rreth raketave dhe çështjeve tjera.
Nëse Rusia pushton Ukrainën, kjo nuk do të ishte hera e parë.
Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014.
Ky vend po ashtu mbështet rebelët në konfliktet në rajonet lindore të Ukrainës, në të cilat kanë vdekur rreth 14,000 persona. /REL