image DnV: Në pjesën e dytë të ditës, dalje më e ulët për të votuar krahasuar me rundin e parë

DnV: Në pjesën e dytë të ditës, dalje më e ulët për të votuar krahasuar me rundin e parë

news image

Sipas raportimeve të vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV), pjesëmarrja e qytetarëve në votime deri në orën 15:00 është 23.6%, rreth 2% më e ulët se në rundin e parë të zgjedhjeve.

Komunat me daljen më të madhe vazhdojnë të jenë Mamusha (45%), Juniku (41%) dhe Kllokoti (37%), kurse dalja më e ulët deri në 15:00 është regjistruar në komunën e Prizrenit (19%) dhe Dragashit (17%).

Sipas DnV, Fushë Kosova, Obiliqi, Rahoveci, Vushtrria dhe Mamusha janë ndër komunat që krahasuar me daljen e votuesve në rundin e parë, kanë shënuar rënien më të madhe. Rritje domethënëse në trendin e votimit, krahasuar me rundin e parë, është shënuar në Junik, Podujevë dhe Shtime.

“Trendi i njëjtë i mosrespektimit të masave mbrojtëse kundër COVID 19 ka vazhduar edhe gjatë pjesës së dytë të ditës, si nga ana e stafit zgjedhor ashtu edhe nga qytetarët”, thuhet në njoftim.

“Me rritjen e daljes në zgjedhje të votuesve, janë rritur edhe rastet kur të njëjtit kanë hasur vështirësi në gjetjen e emrit në Listën e Votuesve. Ky fenomen është raportuar në rreth 35% të vendvotimeve, me deri në 10 raste të raportuara në secilin prej tyre”.

Sa i përket votimit me asistencë, trendi ka vazhduar të rritet eksponencialisht që nga orët e paradites, duke bërë që ky fenomen të jetë i shprehur pothuajse në secilin vendvotim. Madje, në mbi 30% të vendvotimeve janë regjistruar deri në 50 raste të votimit me asistencë.

Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar në dy raste frekuentim të qendrave të votimit nga eksponentë të subjekteve politike, dhe atë në komunën e Gjakovës dhe Podujevës./GazetaSinjali/