image Huqje apo e qëllimshme? – Komuna e Podujevës iu vë rrugëve emra të asamblistëve të VV-së

Politikë

Huqje apo e qëllimshme? – Komuna e Podujevës iu vë rrugëve emra të asamblistëve të VV-së

news image

“Çudira nga Llapi”, rrugët në qytet dhe në disa fshatra në Podujevë të cilat kanë filluar të ndërtohen me elemente betoni, në kontratën e nënshkruar figuron se janë të emëruara me emrat e disa asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në Komunën e Podujevës me datën 19.09.2023 është nënshkruar kontrata për “Ndërtimin e rrugëve me elemente betoni (ndërtimi i rrugëve me kubëza betoni, ndërtimi i kalesave të vogla në trotuare, ndërtimi i urave të vogla për këmbësor etj) në qytet dhe fshatra”.

Vlera e përgjithshme e kësaj kontrate është 458 mijë e 371 e 05 euro të cilën e ka fituar kompania NNT BINI SH.P.K. Shtedim.

Por, lista e rrugëve të cilat do të ndërtohen me elemente betoni, përbëhet me disa çudira.

A ja huçi Komuna e Podujevës në emërtimin e saktë të rrugëve?

Disa rrugë nga kjo Komunë e udhëhequr nga Kryetari Shpejtim Bulliqi, në kontratë janë emëruar me emra të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë.

Një rrugë në fshatin Shajkofc të Podujevës, në listën për ndërtimin me elemente betoni, në kontratën e dhënë e ka përfshirë edhe rrugën të cilën e ka emëruar me emrin e asamblistit të LVV-së Haki Rudarit e titulluar “Ndërtimi i rrugës Haki Rudari Shajkofc”.

Tutje ka vazhduar edhe me asamblistin poashtu i Lëvizjes Vetëvendosje Artrit Mulliqin.

Emërim i një rruge e cila nuk ceket a është në ndonjë fshat apo qytet të Podujevës, është titulluar “Ndërtimi i rrugës Artrit Mulliqi”.

Lidhur me këtë është kontaktuar asamblisti Haki Rudari, i cili tha se nuk ka rrugë të emëruar në emër të tij, dhe nuk e di se si ka ndodhur ky lëshim.

Tutje Rudari theksoi se ai ka dhënë propozime për asfaltimin e rrugëve në Shajkofc, duke shtuar se drejtoria përkatës e ka një pjesë të përgjegjësisë për këtë lëshim.

“Duhet te deklarohem publikisht, me përgjegjesi te plotë e them se nuk ka rrugë të emertuar me emrin tim Haki Rudari, ndërsa unë vetëm kam dhënë propozime për asfaltim të rrugëve në fshat, por madje asnjë nga ato propozime nuk është në lagjen Rudari, por si ka ardh ky lshim për besë nuk e di, edhe drejtorin e drejtorisë edhe ai e ka një pjesë të përgjegjësisë, por po e them sërish që nuk ka rrugë të emërume Haki Rudari”, tha ai.

Edhe Artrit Mulliqin këshilltar komunal në Podujevë nga Lëvizja Vetëvendosje e cilësoi si gabim teknik të zyrtarit komunal.

“Rruga për të cilën po flisni është një kërkesë në mesin e dhjetra kërkesave që i kam bërë për qytetarët dhe familjet në nevojë në Komunën e Podujevës. Kur e kam bërë kërkesën, si duket në drejtori e kanë evidentuar me emrin tim dhe pas inspektimit dhe vendosjes për ta shtruar rrugen per shkak te nje gabimi teknik të zyrtarit komunal është evidentu emri im si parashtrues i kësaj kërkese për qytetarët! Pra ky është vetëm një gabim teknik nga ana e zyrtarit komunal dhe asgje me shume! Me të mira!”, tha Artrit Mulliqi

Po ashtu është kontaktuar edhe Komuna e Podujevës, të cilët e quajtën se ka qenë gabim teknik nga zyrtari komunal i cili në vend të emrit të rrugës, i ka vendosur emrat e personave që i kanë bërë kërkesat, në këtë rast emrat e asamblistëve të VV-së.

“Ne i pranojmë kërkesat nga secili qytetar i komunës se Podujevës, gjithësesi edhe nga asamblistët të cilët edhe e kanë obligim moral që ti drejtojnë tek drejtoria pasiqë janë edhe të përzgjedhur nga qytetarët. Ne kemi pranuar kërkesa edhe nga asamblistë të tjerë ( të subjekteve tjera politike) dhe i kemi realizuar shumicën prej tyre.

Ne komunën e Podujevës nuk ka rruge me emrat e lartëcekur por kërkesat kane ardh prej tyre përderisa zyrtari i komunës i cili i ka përgatit para masat ka bere gabim teknik ne emërimin e këtyre rrugëve (në vend të emrit të rrugës e ka vendos emrin e kërkuesit)“./Gazeta Insajderi

/GazetaSinjali/