image Djemtë e rreshterit kërcënojnë e fyejnë policët në Gjakovë

Kosovë

Guximi i "të fortëve"/ Djemtë e rreshterit kërcënojnë e fyejnë policët në Gjakovë

news image

Të shtunën, policëve të Gjakovës u ka dalë punë me djemtë e rreshterit Rexhep Vishaj.

Në detyrë, ata janë përballur me ofendimet dhe kërcënimet e djemve të rreshterit, shkaku i një patrulle që e ndaloi veturën e tyre rreth orës 18:30, në rrugën “Nënë Tereza” të Gjakovës.

Kur iu kërkua shpjegim për një kundërvajtje, djali i rreshterit i cili po e voziste veturën i ka kërcënuar dhe fyer policët, raporton Gazeta Sinjali.

Duke parë situatën e tensionuar shpejt, policët e kanë shoqëruar atë për në stacionin policor.

Rastin e konfirmon edhe zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Lirie Podrimaj.

“Më datë 30.11.2019 në ora 18:30 në rrugën ,, Nënë Tereza” në Gjakovë patrulla e policisë ka ndaluar një automjet udhëtarësh në të cilin ndodheshin dy persona meshkuj/ kosovar/ shqiptar. Gjatë kontrollit të dokumetacionit zyrtarët policor kanë kërkuar shpjegim për një kundërvajtje dhe meqenëse ngasësi i automjetit ka kundërshtuar urdhërat e zyrtarëve policor, madje duke u shprehur me fjalë ofenduese dhe kërcënuese ndaj tyre andaj për të vënë situatën nën kontroll personi në fjalë është shoqëruar për në stacionin policor Gjakovë”, ka thënë Podrimaj për Gazetën Sinjali.

Megjithëse kjo do të duhej të ishte fundi i ngjarjes, pas pak kohësh, në stacionin e Policisë kishte shkuar edhe vëllai i vozitësit, djali tjetër i rreshterit Rexhep Vishaj, që bashkë me vëllain e tij ndodheshin në veturë në rastin e ndalimit nga Policia.

I mllefosur me ngjarjen, sikurse vëllai, edhe ai ka fyer e kërcënuar policët në detyrë.

“Pas pak kohësh në stacion policor ka ardhur edhe pasagjeri respektivisht vëllai i ngasësit i cili po ashtu në lokalet e policisë i ka fyer dhe kërcënuar zyrtarët policor në detyrë”, konfirmon Podrimaj.

Për këtë çështje, Policia ka inicuar rast, i cili është klasifikuar si “Kanosje ndaj personave zyrtarë”.

Në konsultim me prokurorin e shtetit, djemtë e rreshterit Rexhep Vishaj, janë mbajtur në ndalim policor. /Gazeta Sinjali/