image Djegia e veturës së zyrtarit të Auditimit në QKUK, Kurti ua lë fajin dy kompanive që merren me sigurinë

Politikë

Djegia e veturës së zyrtarit të Auditimit në QKUK, Kurti ua lë fajin dy kompanive që merren me sigurinë

news image

Të premten është djegur për herë të dytë vetura Drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së, Musa Vitija.

E për këto raste sot ka folur edhe kryeministri Albin Kurti. Gjatë vizitës në ShSKUK, Kurti tha se dy kompanitë, “Security Code”, përgjegjëse për sigurimin fizik dhe “Quantic”, përgjegjëse për mbikëqyrjen e kamerave kanë dështuar në kryerjen e punës së tyre.

E para, sipas Kurtit sepse për herë të dytë nuk ka arritur të ofrojë sigurinë e veturës së Vitija, kurse tjetra edhe pas dy jave nuk ka arritur t’i rikthej në funksion kamerat e sigurisë të cilat janë të dëmtuara nga “vetëtima”.

Njoftimi i Kurtit:

Njëherë me 19 gusht dhe pastaj sërish me 7 tetor iu dogj vetura Drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së, Musa Vitija. Pas një pune intensive të tij janë gjetur shkelje të shumta të dokumentuara në raport përkatës.

Dy kompanitë, “Security Code”, përgjegjëse për sigurimin fizik dhe “Quantic”, përgjegjëse për mbikëqyrjen e kamerave kanë dështuar në kryerjen e punës së tyre. E para, sepse për herë të dytë nuk ka arritur të ofroj sigurinë e veturës së z. Vitija, kurse tjetra edhe pas dy jave nuk ka arritur t’i rikthej në funksion kamerat e sigurisë të cilat janë të dëmtuara nga “vetëtima”.

Për të shprehur mbështetjen time të parezervë, sot vizitova Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës. Bashkë me mua në vizitë ishte edhe ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku dhe zëvendësministri, Arsim Berisha, ku takuam ushtruesen e detyrës së drejtores së ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu- Raçi, Kryesuesen e Bordit Drejtues, Aida Rexhepi dhe Drejtorin, Musa Vitija.

Të korruptuarit dhe kriminelët zjarrvënës e kanë vendin në burg, e jo jashtë tij ku lirinë e përdorin si mundësi për të përsëritur krimin.

/GazetaSinjali/