Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka reaguar pas djegies së balonës me mbishkrimin “Mirë se vini”, e cila ishte vendosur në hyrje të qytetit të Pejës, shkruan Gazeta Sinjali.
Muhaxheri thotë se një gjë e tillë e ka trishtuar shumë. Më e keqja e gjithë kësaj, ai thotë se askush nuk kërkonte arsye se nga kush dhe pse u vendos dhe pse pikërisht me këto ngjyra, për të cilat u kritikua se ishin të njëjta me ato të flamurit të ish-Jugosllavisë.
“Ngjarja e ditës së djeshme më trishtoi tmerrësisht! Duke parë reagimet e shumta, e dija se çdo arsyetim do të keqkuptohej dhe nuk do të gjente mbështetjen e një pjese të opinionit. Euforia e reagimeve ishte e jashtëzakonshme, ndoshta më tepër sesa duhej! Më e keqja e gjithë kësaj ishte se askush nuk kërkonte arsye: pse u vendos, kush e vendosi, dhe pse pikërisht këto ngjyra”, ka shkruar ndër të tjera Muhaxheri në Facebook.
Sipas tij, balona ishte një simbolikë e dhuruar nga piloti francez, kampion në aeronautizëm, Guy Cinquin.
Muhaxheri thotë se Cinquin e solli balonën me ajër të nxehtë të cilën tashmë shumica e keni parë në qiell dhe se pas kthimit në Francë, thotë se e ka promovuar jashtëzakonisht mirë Pejën, por edhe kulturën e këtij qyteti në mediat e atjeshme.
“Ai u rikthye prapë në Pejë për të realizuar fluturime të tjera dhe në shenjë mirënjohje e ka sjellë balonën, e cila u vendos dje në hyrje të qytetit, madje atë e ka instaluar personalisht, duke mos e pasur idenë se veprimi i tij me qëllim të mirë, do të keqkuptohej”, ka shkruar i pari i Pejës./Gazeta Sinjali/