Një 24-vjeçar është arrestuar nga autoritetet amerikane pasi postoi në mediat sociale një video duke lëpirë një akullore në supermarket dhe më pas e kishte futur sërish në frigorifer.
Incidenti ka ndodhur në Teksas të SHBA-së, ndërsa videoja e tij u bë virale në muajin gusht të vitit të kaluar.
D’Adrien Anderson është dënuar me 30 ditë burg dhe është gjobitur me 1000 dollarë. Po ashtu është urdhëruar t’i paguajë 1 mijë e 565 dollarë për kompaninë e akullores, Blue Bell Creameries. Ai do t’i kryejë gjithashtu edhe 100 orë punë të papaguara.
Anderson tha se ndihet fajtor për sjellje të gabuar dhe i tha policisë se e lëpiu akulloren si shaka, pastaj ishte kthyer dhe e kishte blerë atë.
Megjithatë, Blue Bell Creameries, një kompani e njohur për akullore në Teksas, zëvendësoi të gjithë akulloret në frigoriferin Walmart si masë paraprake.
“Veprimet e Anderson shkaktuan shqetësime të publikut për sigurinë dhe cilësinë e produkteve, ndikuan në vetëbesimin e konsumatorit Blue Bell dhe shkaktuan humbjen financiare të kompanisë. Ky lloj aktiviteti nuk do të tolerohet”, tha Zyra e Prokurorit të Qarkut Jefferson.
Zyra tha se çdo rast i ngjashëm do të merret seriozisht./Gazeta Sinjali/