image Djali i Agron Kuçit mbetet në paraburgim, Apeli ia refuzon ankesën - Sinjali

Djali i Agron Kuçit mbetet në paraburgim, Apeli ia refuzon ankesën

news image

Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 nëntor ia ka caktuar masën e paraburgimit Flamur Kuçit, djalit të kryetarit të Junikut, Agron Kuçit, pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “dhënie ose marrje ryshfeti në lidhje me votimin”. Pas caktimit të masës së sigurisë, i njëjti është ankuar në Gjykatën e Apelit.

Gazeta Sinjali mëson se Apeli ka marrë vendim që ankesa e mbrojtësit të Flamur Kuçit të refuzohet dhe të vërtetohet vendimi për caktimin e masës së paraburgimit i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Mbrojtësi i Kuçit ka kërkuar që aktvendimi për masën e paraburgimit të ndryshohet, ashtu që t’i hiqet masa e paraburgimit dhe të mundësohet që rasti të trajtohet në procedurë të rregullt. Mbrojtja përmes ankesës ka pretenduar se gabimisht është vlerësuar nga gjyqtari i procedurës paraprake se Flamur Kuçi ka kryer veprën për të cilën dyshohet.

Arsyetimi i Gjykatës së Apelit

Por në arsyetimin e Apelit thuhet se pretendimet e mbrojtjes janë të pabazuara, sepse ekziston dyshimi i bazuar se Flamur Kuçi ka kryer veprën penale “dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”, pasi që i njëjti i kishte dhënë dokumentacion zgjedhor të dyshuarës Blerina Sallaj, zyrtare e Komunës së Junikut, në mënyrë që me atë material të manipulojë procesin zgjedhor.

Sallajt, më 29 tetor, në Aeroportin e Prishtinës, në bagazhin e saj i janë gjetur kopjet e letërnjoftimeve të gjashtë personave, dy kopje të pasaportave, si dhe një listë me emrin “Diaspora voton përmes postës 2021”, në të cilën janë shënuar 125 emra dhe mbiemra, adresa dhe shtete ku jetojnë këta persona.

Sipas gjykatës, Flamur Kuçi dyshohet se gjithë këtë dokumentacion ia ka dhënë të dyshuarës Blerina Sallaj, me qëllim që e njëjta t’ia dërgojë vëllait të tij, në Mynih të Gjermanisë, në mënyrë që të manipulojë me këtë material, meqenëse babai i tij, Agron Kuçi është në garë për kryetar të komunës së Junikut.

Apeli konsideron se Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë arsye të mjaftueshme për t’ia caktuar masën e paraburgimit të dyshuarit Flamur Kuçi.

Përveç këtij arsyetimi, në vendimin e Apelit thuhet se nëse i njëjti mbrohet në liri do të pengojë procesin dhe do të ndikojë në dëshmitarët që janë dëgjuar deri më tani. Sipas Gjykatës, gjithashtu ekzistojnë arsye për masën e paraburgimit, pasi ekziston rreziku se i dyshuari mund ta përsëris veprën penale meqë procesi zgjedhor është në proces e sipër.  

Kujtojmë se Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për këtë rast, ku fillimisht u arrestua zyrtarja e komunës, Blerina Sallaj, që pasoi me aksionin e Krimeve të Rënda e deri te arrestimi i Flamur Kuçit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/



Shpërndaje artikullin