image Policia ia arreston djalin për dallavere me vota, kryetari i Junikut: Nuk kam asnjë prononcim

Policia ia arreston djalin për dallavere me vota, kryetari i Junikut: Nuk kam asnjë prononcim

news image

Gazeta Sinjali pak më parë raportoi se në prangat e Policisë së Kosovës si i dyshuar për dallavere me vota ka përfunduar edhe Flamur Kuçi, i biri i kryetarit të Komunës së Junikut, Agron Kuçit.

Sinjali nga burimet brenda Prokurorisë ka mësuar se Flamuri po dyshohet se në bashkëkryerje me zyrtaren e komunës së Junikut, Blerina Sallaj dhe aktivistë të tjerë të AAK-së kanë përgatitur materialin e sekuestruar nga Policia, që kishte destinacion diasporën.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me të parin e Junikut, Agron Kuçin, për rastin e arrestimit të djalit të tij, por i njëjti ka refuzuar të përgjigjet sërish.

“Jo, nuk kam asnjë prononcim, kurgjo nuk kom”, tha ai.

Flamur Kuqi me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.

Gazeta Sinjali ekskluzivisht ka raportuar edhe për arrestimin e Blerina Sallajt, zyrtare në Komunën e Junikut, e cila është ndaluar për 48 orë.

Ajo dyshohet se ka kryer veprën penale “dhënie ose marrje e ryshfetit në lidhje me votimet”.

Sinjali nga burimet ka mësuar se Blerina Sallaj është mbrojtur në heshtje gjatë intervistimit nga Drejtoria e Krimeve të Rënda.

Megjithatë, burimet e Sinjalit thonë se ajo gojarisht ua ka rrëfyer të vërtetën Policisë që në kontaktin e parë në aeroport, kur u zu në flagrancë me materialet e sekuestruara.

Çka gjeti Policia në valixhen e Blerina Sallajt në Aeroportin e Prishtinës?

Sallaj të premten ishte nisur për në Gjermani, me ç’rast Policia e Kosovës kishte gjetur në bagazhin e saj me qindra dokumente të votuesve të diasporës në komunën e Junikut të përgatitura paraprakisht, në mënyrë të organizuar në emër të votuesve të Junikut nga diaspora.

Me këtë rast Policia ka sekuestruar telefonin e saj dhe një laptop me fletëvotime të diasporës dhe listën e votuesve në Junik për kryetar të komunës së Junikut në zgjedhjet e 14 nëntorit, shkruan Gazeta Sinjali.

Dosja që dyshohet të jetë e falsifikuar përmban kopje të letërnjoftimeve, lista me emra të 200 personave, të përgatitura për votim nga diaspora.

Sallaj gjatë intervistimit, siç ka mësuar Sinjali, ka deklaruar se këtë material ka pasur të ia dërgojë vëllait të kryetarit të komunës së Junikut, Agron Kuçit.

Sipas burimeve të Sinjalit, Blerina Sallaj është një nga bashkëpunëtoret më të ngushta të Agron Kuçit, i cili është kandidat nga AAK për kryetar të Junikut. Dyshohet se e arrestuara në bashkëkryerje edhe me persona të tjerë, ka tentuar që të dërgojë në mënyrë të organizuar votat nga diaspora në mbështetje të kandidatit Agron Kuçi.

Dje, Sinjali po ashtu raportoi se në Komunën e Junikut ka zbarkuar Drejtoria e Krimeve të Rënda, në kërkim të provave dhe të dyshuarve të tjerë që lidhen me rastin e dokumentacionit zgjedhor që dyshohet se u falsifikua në këtë komunë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/