image Dikur kundër dhunës mbi palestinezët në Gaza, sot partia në pushtet i del në krah Izraelit - Sinjali

Dikur kundër dhunës mbi palestinezët në Gaza, sot partia në pushtet i del në krah Izraelit

news image

Në vitin 2014, Lëvizja Vetëvendosje madje kishte reaguar zyrtarisht për t’i dalë në ndihmë palestinezëve në Gaza. “Kundër Dhunës dhe masakrave mbi palestinezët në Rripin e Gazës”, thuhej në reagimin e tyre që mban datën 23 korrik 2014, shkruan Gazeta Sinjali.

Por sot kur kjo parti kur është nën udhëheqje të shtetit, i doli në krah Izraelit.

Ministria e Punëve të Jashtme në Qeverinë Kurti, të dielën përmes një postimi në Twitter u rreshtua përkrah Izraelit. Përmes një cicërime, tha se si çdo shtet edhe Izraeli ka të drejtën dhe detyrimin për të mbrojtur popullin e tij.

Si çdo shtet #Izraeli ka të drejtën dhe detyrimin për të mbrojtur popullin e vet kundër 2000 raketave të qëlluara mbi civilët vetëm nga Hamasi, i cili po mban peng civilët palestinezë në luftën e tij. Ne vajtojmë të gjitha viktimat. Ne kërkojmë që të përmbahemi, të ndalojmë dhunën dhe të kërkojmë zgjidhje paqësore”, thuhet në reagimin e kësaj ministrie.

Megjithatë, po që se klikoni kumtesën e Vetëvendosjes së vitit 2014, atëherë në opozitë, nuk do t’ju figurojë asgjë pasi sipas të gjitha gjasave, ajo është fshirë qëllimshëm.

Kujtojmë se më 1 shkurt të këtij viti, Kosova dhe Izraeli formalizuan marrëdhëniet diplomatike, vendim i cili nga të dyja shtetet u cilësua si “historik”.

Më vonë, Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem.

Në Kosovë, në anën tjetër pati edhe marsh protestues në mbrojtje të palestinezëve në Gaza. Në mesin e pak protestueve në sheshin e kryeqytetit para disa ditësh, ishte edhe deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani.

/Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin