image Dikur e ndërlidhte me organizata terroriste dhe Rusinë, tani detyrohet nga populli ta dekretojë për kryeministër

Kosovë

Rrota e historisë/ Dikur e ndërlidhte me organizata terroriste dhe Rusinë, tani detyrohet nga populli ta dekretojë për kryeministër

news image

Kush e kishte menduar që do të vjen dita kur Hashim Thaçi do të detyrohet t`ia transferojë pushtetin Albin Kurtit, në përputhje me mandatin e tij kushtetues.

Vendimi i sovranit në zgjedhjet e 6 tetorit, sipas të gjitha gjasave, do ta obligojë presidentin Hashim Thaçi që përkundër vullnetit të tij ta dekretojë liderin e Vetëvendosjes si mandatar për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Vendimi i votuesve ka ndërruar kahen e historisë më të re politike të Kosovës duke përcaktuar fituesin e ri nga opozita dhe ndëshkuar pozitën e deritashme të përbërë nga PDK, AAK dhe Nisma Socialdemokrate – PAN, shkruan Gazeta Sinjali  

Thaçi, njeriu që dikur s`kishte zgjedhur mjete për ta luftuar liderin e Vetëvendosjes, tashmë do të detyrohet t`i gjunjëzohet Kurtit duke e dekretuar për kryeministër të Qeverisë së ardhshme të Kosovës.

Pas mbylljes së kutive të votimit, më 6 tetor, Thaçin e kishte kapluar heshtja. Ai nuk e kishte lëshuar asnjë fjalë nga goja ose shkruar ndonjë rresht në profilin e tij në facebook deri në mesditën e së nesërmes së 7 tetorit, ndërkohë që në Kosovë tashmë kishin mbërritur reagimet edhe nga Shqipëria e rajoni.   

Thaçi kishte uruar qytetarët dhe partitë politike për zgjedhjet por  jo edhe fituesin e zgjedhjeve, liderin e Vetëvëndosjes Albin Kurti.

Presidenti Hashim Thaçi, dikur kreu i Partisë më të madhe në vend, PDK-së, njihet për kundërshtitë e ashpra politike me liderin e VV-së Albin Kurti.

Përmes konferencave të ndryshme, Thaçi e akuzonte Kurtin për lidhje me Rusinë dhe njerëzit e Putinit, diskurs ky që po vazhdon të ndiqet tash e sa kohë edhe nga mediumi publik RTK i cili akuzohet për njëanshmëri politike ndonëse paguhet nga taksat e qytetetarëve.

Madje, menjëherë pas kumtimit të rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit, një analizë të tillë e bëri edhe drejtori i RTKlive, Mentor Shala duke i fyer votuesit që janë përcaktuar për ndryshim në këto zgjedhje se janë rreshtuar me Rusinë, postim këtë që e largoi pas raportimit të Gazetës Sinjali.

Thaçi e kishte akuzuar Kurtin, se partia e tij Vetëvendosje po financohet nga individë nga Irani si dhe për dërgim të ekipeve të rregullta të mujore për trajnim në Stamboll, ndonëse asnjëherë nuk kishte arritur t`i mbështes me prova këto pretendime.  

Thaçi së fundi ka vazhduar me akuza ndaj liderit të Vetëvendosjes duke e lidhur emrin e tij edhe me veprimet e organizatës ‘Syri i Popullit’.

 “Ai njeri është ideatori dhe njerëzit e rrethit të tij, i themelimit dhe veprimit të organizatës terroriste Syri i Popullit që ka përpiluar lista për eksekutimin e njerëzve, të politikës në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri dhe njerëz të shoqërisë civile dhe mediave”, kishte thënë Thaçi për Albin Kurtin. /Gazeta Sinjali/