image Dikur e goditi pandemia fort, ATK për tre muaj mbledh gati 200 milionë euro

Financa

Dikur e goditi pandemia fort, ATK për tre muaj mbledh gati 200 milionë euro

news image

Është njëri prej institucioneve që u prek shumë nga pandemia pas marrjes së masave lehtësuese për tatimpaguesit. Bëhet fjalë për Administratën Tatimore të Kosovës ku kjo e fundit si duket është “ringjallur”, shkruan Gazeta Sinjali.

Ky institucion për këtë fillim vit ka mbledhur hiq më pak se mbi 177 milionë euro, kështu kanë bërë me dije zyrtarë nga Administrata Tatimore e Kosovës.

Valentina Bytyqi-Sefa ka bërë me dije për Gazetën Sinjali, se ATK-ja i ka arritur pritshmëritë e inkasimit të të hyrave.

Ajo tha se pritshmëritë janë tejkaluar për mbi 23 milionë euro.

“Administrata Tatimore e Kosovës vazhdon me trendin rritës të mbledhjes së të hyrave për tremujorin e parë të këtij viti. Janë 177.7 milionë euro tatime të mbledhura nga tatimpaguesit, të cilat në krahasim me planin tejkalohen pritshmërinë për 23.2 milionë euro apo 15%”, tha Bytyqi-Sefa.

Sipas ATK-së, rritje është shënuar edhe nëse krahasohet periudha e njëjtë të këtij viti (janar-mars) me vitin e kaluar, kështu duke shkuar në 42.9 milionë euro apo 31.9% më shumë.

“Duke pas parasysh që përveç prioriteteve inkasimit, trajtimit te borxheve dhe shumë aktiviteteve tjera, ndër prioritete kyç është edukimi tatimor i tatimpaguesve. Sigurisht, që ATK çdoherë ju bënë thirrje në forma të ndryshme tatimpaguesve qe t’i kryejnë në kohë obligimet tatimore, në mënyrë që mos të bëhen subjekt i ndëshkimeve”, ka thënë ndër të tjera Bytyqi Sefa.  

ATK ka apeluar tek të gjithë tatimpaguesit që t’i kryejnë në kohë obligimet e tyre tatimore, pasi sipas tyre, “kjo është njëra ndër shumë mundësit kur ju mund të kontribuoni për shtetin”.

Ndryshe, më 20 shkurt të këtij viti, ATK kishte bërë të ditur se të gjithë të punësuarit janë të obliguar t’i deklarojnë të ardhurat e tyre deri më 31 mars.

Një gjë të tillë duhet ta bëjnë edhe bizneset. Në të kundërtën, sipas ATK-së, do të pasojë penalizmi për mos-deklaruesit.

/GazetaSinjali/