image Detaje sesi ndodhi keqpërdorimi milionësh në Ministrinë e Shëndetësisë - Sinjali

Detaje sesi ndodhi keqpërdorimi milionësh në Ministrinë e Shëndetësisë

news image

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Mendim Sojevës, i cili dyshohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale Përvetësimi në detyrë, si dhe  ndaj Ganimete Gashi – Ahmetit, me dyshimin se këta të dy në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Hyrje në sistemet kompjuterike, raporton Gazeta Sinjali.

Mbi çfarë provash mbështetet aktakuza e Prokurorisë?

Aktakuza e ngritur më datë 6 tetor 2020, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, mbështetet në dëshminë e gjithsej 39 dëshmitarëve, raporteve buxhetore, ekspertizave financiare, raportet e forenzikës dhe jo vetëm.

Deklaratat e dëshmitarëve

Numri më i madh i dëshmitarëve, të propozuar nga ana e PSRK-së, kanë deklaruar njëzëri se personi përgjegjës për pranimin e mjeteve nga Ministria e Shëndetësisë ka qenë Mendim Sojeva.

Në mesin e 39 dëshmitarëve, pranë PSRK-së ka deklaruar edhe Arianit Jakupi, i cili ishte në cilësinë e U.D të Kryeshefit Ekzekutiv të AKPPM-së, i njëjti tha se:

“Në asnjë rast nuk është raportuar për diçka të tillë as nga zyrtarët e financave, as nga Auditimi i jashtëm apo i brendshëm, në asnjë rast nuk është përmendur që ka probleme me avancet ose me çështje të tjera lidhur me borxhet për avance.

Jakupi, po ashtu ka deklaruar se nuk ka aprovuar asnjë kërkesë për udhëtime zyrtare, pa pasur dokumentacionin mbështetës, me të cilin lejohet ai udhëtim jashtë vendit.

Dëshmitarja Ibadete Shala – Zeka, në deklaratën e saj,, kur është pyetur se si e arsyeton faktin se ka bërë shpenzime në emër të AKPPM-së, në shumën prej 156 mijë e 750 euro, ka thënë se nuk ka bërë asnjë shpenzim të avanceve për asnjë organizatë e as për AKPPM-në.

Mirëpo, ajo ka deklaruar se pas një bisede me zyrtarin për procesimin e pagesave, Kujtim Zeqiri, e ka kuptuar se janë kryer regjistrime të avanceve në emrin e saj.

E njëjta është deklaruar se duke e ditur se Mendim Sojeva, ishte zyrtari cetifikues, kërkoi nga ai sqarim se çka ka ndodhur me llogarinë e saj.

O Mendim Sojeva, çka ke bërë kështu, ai më tha çka kam bërë, e kam pyetur çka ke bërë me passëord timin, ai më tha nuk di asgjë dhe unë ja kam mbyllur telefonin.“

Çështja e keqpërdorimit të fjalëkalimeve të llogarive të zyrtarëve në Ministrnë e Financave – Thesarit, sipas dëshmitarit Bali Morina, është ngritur si çështje në mars të vitit 2018, pas keqpërdorimit të fjalëkalimit të Ibadete Shalës.

Deklarata e ekspertit financiar

Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me keqpërdorimin e parasë publike, përkatësisht përvetësimin e saj, në emër të shpenzimeve për avance të udhëtimeve zyrtare dhe manipulimin me buxhet, Prokuroria ka autorizuar që të dëgjohet edhe një ekspert financiar për kryerje të ekspertizës financiare lidhur me këtë rast.

Emin Plakaj, eksperti financiar i autorizuar nga Prokuroria, pas analizimit të shkresave të lëndës ka konkluduar se në mungesë të dokumentacionit për avance për udhëtime zyrtare nuk mund të japë një mendim profesional dhe të paraqesë në mënyrë të drejtë një raport lidhur me avancet për udhëtime zyrtare.

Deklarimi i Sojevës në Prokurorinë Themelore

Përveç dëshmitarëve, edhe  Sojeva në dëshminë e dhënë para Prokurorisë Themelore dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ka deklaruar se procedura për avance për një udhëtim zyrtar fillon me një kërkesë nga zyrtari, i cili do të udhëtojë, kërkesë kjo e cila duhet të aprovohet nga departamenti, në të cilin punon ai zyrtar, pastaj e njëjta kërkesë duhet të nënshkruhet nga kryeshefi ekzekutiv (ZKA) dhe të dërgohet në departamentin e financave, ku aprovohet nga drejtori i financave në këtë departament dhe si hap i fundit bëhet zotimi i mjeteve nga zotuesi i AKPPM-së.

Mendim Sojeva, ka thënë se zotimi i mjeteve, në këtë rast është bërë nga zyrtari zotues në sistemin e free balance, ndërkaq lënda fizike është dërguar në zyrën e financave të Ministrisë së Shëndetësisë, pasi që ata e kanë pasur të drejtën e tërheqjes së mjeteve.

Ministria e Shëndetësisë, sipas Sojevës është dashur të plotësojë një formular për tërheqje të mjeteve, të cilin është dashur ta nënshkruajë drejtori i financave të kësaj ministrie. Në bazë të kësaj, ai zyrtar ka shkuar në bankë dhe i ka tërhequr mjetet, të cilat i ka dorëzuar në AKPPM, thotë Sojeva.

“Paratë i kam pranuar unë, të cilat pastaj i kam ndarë te zyrtarët që kanë pasur të udhëtojnë, ka pasur raste që edhe ne kemi shkuar në MSH dhe i kemi marrë paratë e tërhequra nga zyrtari i financave në MSH, Fatmir Kajtazi.

Paratë e tërhequra në lëndën fizike janë dorëzuar në AKPPM, në zyrën e financave. Nuk ka pasur zyrtarë të caktuar për pranimin e lëndëve, por i ka marrë kush ka qëlluar në zyrë, e kemi pasur arkivin, e cila ka qenë në zyrën e financave, pastaj është dërguar në podrum në arkivin e përbashkët.“, thuhet në deklaratën e tij.

Për gjithë këtë rast, Sojeva thotë se ka bërë barazimin e mjeteve financiare, të cilat i janë shfrytëzuar në udhëtim zyrtar, për të cilin e ka dorëzuar në MSH, në zyrën e financave, te Fatmir Kajtazi, si zyrtar i financave.

Por, si ndodhi barazimi sipas Sojevës?

Sojeva thotë se barazimin e ka bërë në cilësinë e zyrtarit zotues, si dhe e pranon se AKPPM-ja e ka pasur zyrtarin shpenzues, i cili e ka verifikuar lëndën e udhëtimit dhe ka bërë shpenzimin.

Sipas tij, shuma e avanceve për udhëtime zyrtare është bërë në bazë të një tabele, ku kanë qenë të parapara se si duhet të shpenzohen mjetet.

Buxheti për udhëtime zyrtare jashtë vendit për AKPPM ka qenë i ndarë në dy kategori të caktuara, me dy kode, kodi për udhëtime zyrtare dhe kodi për trajnime jashtë vendit, shuma e të cilave ka qenë 60 mijë euro për një kod, që do të thotë rreth 120 mijë euro për të dyja kodet, e cila ka qenë kështu për vitet 2016 – 2018.

Nëse kjo shumë është tejkaluar, Sojeva thotë se është dashur të raportohet se si janë shpenzuar mjetet e ndara për këto kode.

Mirëpo, i njëjti në cilësinë e zyrtarit certifikues të AKPPM-së, është pyetur nga Prokuroria se nëse ajo çfarë Sojeva ka deklaruar qëndron, atëherë si është e mundur që nga viti 2014 e deri në vitin 2018, është tejkaluar shuma e paraparë për udhëtime zyrtare për AKPPM-në.

Këto janë përgjigjet e Sojevës, në pyetjet e Prokurorisë, se si e shpjegon faktin se që nga viti 2014 e deri në vitin 2018, AKPPM e ka tejkaluar buxhetin e planifikuar për udhëtime jashtë vendit, e cila gjithsej arrin shumën mbi 1 milion euro.

“Nuk më kujtohet, është dashur të bëhet kërkesë.

Është e pamundur të jetë kjo shumë e mjeteve që janë zotuar pa dokumentacion.

Nuk ka pasur mundësi me ndodh kjo.

Ka pasur udhëtime, por nuk e di cila ka qenë shuma, por nuk ka mund të ndodhë tërheqja e parave pa dokumente.

Unë konsideroj se është dashur të ketë dokumentacion, në ditën që jam larguar nga puna kam dalë me duar në xhepa, dokumentacioni ka mbetur në AKPPM.

Nuk po di as vetë, nuk i besoj këtyre të dhënave.” ka deklaruar Sojeva.

Për gjithë këtë shumë, e cila pretendohet se është përvetësuar nga Mendim Sojeva, ky i fundit nuk pajtohet asesi me të dhënat e raportit për tërheqjen e mjeteve, pasi që sipas tij, diçka të tillë nuk e lejon sistemi free balance.

Deklarimi i Sojevës në Prokurorinë Speciale

Tejkalimi i shumës së planifikuar, në shumën prej 1 milion e 221 mijë e 501 euro, për të cilën, sipas aktakuzës së PSRK-së, nuk ekziston asnjë dokumentacion për qarkullimin e tyre, Sojeva ka deklaruar se diçka e tillë është e pamundur të ndodh, pa u vërejtur nga MSH-ja dhe kështu ai propozon që të bëhet një ekspertizë reale, e cila mund të vërtetojë gjendjen faktike, që sipas tij nuk ka pasur mundësi të tërhiqet ajo vlerë aq e madhe e mjeteve.

Nënshkrimi i fletëparaqitjeve është bërë përherë nga Sojeva, në momentin kur i ka pranuar mjetet nga Fatmir Kajtazi, i MSH-së, por i njëjti deklaron se në ditën kur është suspenduar nga puna, edhe pse ai ka nënshkruar fletëparaqitjet, nuk ka pranuar asnjë mjet.

Tutje, në deklarimin e tij Sojeva thotë se dyshon se është manipuluar me fjalëkalimet e llogarive të zyrtarëve të AKPPM-së, për të cilat konsideron se është zhdukur dokumentacioni dhe sipas tij është e pamundur të tërhiqen mjetet pa dokumente.

Në fund të deklaratës së tij, i akuzuari e mohon plotësisht kryerjen e veprave penale Përvetësimi në detyrë dhe Hyrja në sistemet kompjuterike, të cilat i vihen në barrë dhe i njëjti dyshon se është keqpërdorur fjalëkalimi i tij, pasi që sipas tij, ai nuk ka ndërhyrë në sistemin kompjuterik SIMFK.

Deklarimi i Ganimete Gashi – Ahmetit në Prokurorinë Speciale

E akuzuara Gashi – Ahmeti, në kohën e kryerjes penale ka qenë zyrtare shpenzuese për regjistrimin e shpenzimeve dhe avanceve, mirëpo kur ka qenë  e nevojshme ajo ka shërbyer edhe si zyrtare shpenzuese alternative për AKPPM-në.

Në aktakuzën e ngritur nga PSRK, të siguruar nga Gazeta Sinjali, thuhet se e akuzuara ka përdorur kompjuterët e kolegëve të saj dhe e njëjta nga ata kompjuterë ka hyrë në llogaritë e zyrtarëve të Ministrisë së Financave – Thesarit, nëpërmjet sistemit SIMFK.

Në deklarimin e saj në Prokurori, e akuzuara e ka mohuar kryerjen e veprës penale Hyrja në sistemet kompjuterike, e cila i vihet në barrë dhe ka theksuar se punën e saj e ka kryer me nder, pa ndërmarrë asnjëherë ndonjë veprim të kundërligjshëm, si dhe e njëjta ka shprehur gatishmëri të ofrojë ndihmën e saj për ndriçimin e gjendjes faktike në këtë çështje penale, në të cilën ajo ndjehet si palë e dëmtuar.

Gazeta Sinjali ka raportuar sot me detaje ekskluzive për ngritjen e aktakuzës ndaj ty të dyshuarve.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin