Federata Ruse ka reaguar pas deklaratave të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, drejt presidentit rus, Vladimir Putin, të cilin e quajti kriminel lufte.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se këto janë fyerje personale për Putinin, transmeton Gazeta Sinjali.
“Moska dëgjon dhe sheh ato që tashmë janë deklaratat e përditshme të bëra nga presidenti Biden, të cilat tashmë janë, në fakt, fyerje personale të Putinit”, u tha Peskov gazetarëve në një konferencë të mbajtur.
Biden më herët tha se Putin ishte “një diktator vrasës, një bandit i pastër”, i cili po bën një luftë imorale kundër popullit të Ukrainës.
Peskov shtoi se ai nuk donte të reagonte ashpër ndaj këtyre deklaratave në mënyrë që “të mos shkaktonte më shumë agresivitet”.
“Duke marrë parasysh nervozizmin, lodhjen dhe harresën e Presidentit Biden, që çojnë në deklarata të tilla agresive, ne nuk do të japim vlerësime të mprehta për fjalët e tij, për të mos shkaktuar më shumë agresivitet”, tha ai.
Komentet e Biden të enjten erdhën një ditë pasi ai e quajti për herë të parë Putinin një kriminel lufte – një përshkallëzim i rëndësishëm në retorikën e tij që dënon veprimet e liderit rus kundër Ukrainës.
Peskov u tha gazetarëve të enjten se komentet e Biden ishin “absolutisht të papranueshme dhe të pafalshme”.