Numri i rasteve të dhunës në vendin tonë është në rritje çdo ditë e më shumë. Çdo ditë gra që përjetojnë dhunë nga familjarët e tyre, kryesisht bashkëshortët, kërkojnë ndihmën e Policisë për të marrë mbrojtje dhe për të zgjidhur problemet, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe sot, në orët e para të mëngjesit, në fshatin Dobrajë e Vogël në Lipjan, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se gruaja e ka denoncuar bashkëshortin e saj, për të cilin thotë se e ka sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime trupore.
Si rezultat i denoncimit, një njësi policore ka arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, i cili është përballur me denoncimin kundër tij.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim që i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”.